Pesë raste të dhunës ndaj grave për 24 orë, disa nga to pranojnë tretman mjekësor

Policia e Kosovës, ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar pesë raste të dhunës në familje. Tri raste sipas policisë kanë ndodhur në Prishtinë, një në Fushë Kosovë dhe një në Gjakovë.

Sipas Policisë, në Prishtinë, rreth orës 09:45 është arrestuar një person nën dyshimin që ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

“Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

Në Prishtinë, dje rreth orës 07:00, një gurua ka njoftuar policinë se bashkëshorti i saj dhe e bija e tij, kanë ushtuar dhunë psikike ndaj saj.

“Me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt”, ka thënë policia.

Ndërkaq, policia ka arrestuar një person tjetër në Prishtinë, rreth orës 17:00, pasi i njëjti kishte ushtruar dhunë fizike ndaj motrës së tij.

“Viktima ka marrë tretman mjekësor dhe posedon raport mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

Kurse, në Fushë Kosovë, policia e ka arrestuar një burrë i cili ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Viktima sipas policisë ka pranuar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari pas intervistimit, me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Edhe në Gjakovë, është arrestuar një burrë i cili ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes.

“Nuk raportohet për lëndime. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.