Përparim Rama merr zyrtarisht udhëheqjen e Prishtinës

Përparim Rama dha betimin si kryetar i ri i Prishtinës. Rama mori mandatin nga ish kryetari Shpend Ahmeti, pasi fitoi në garën e zgjedhjeve lokale.

“Unë Përparim Rama betohem se do t’i kryej detyrat dhe ushtrojë kompetencat me nder, besnikëri në mënyrë të paanshme dhe në pajtim me ligjin, që të punojë për një jetë të qetë për të gjithë”, tha ai.

Rama, duke iu drejtuar qytetarëve të Prishtinës, ka thënë se për të por edhe për banorët e kryeqendrës është një ditë e veçantë pasi nga sot vullneti i tyre për ndryshëm nuk është më moto e fushatës por zotim i tij dhe ekipit me të cilët do punoj në katër vitet e ardhshme.

“Pasi dhashë bekimin si kryetar i Komunës, kjo më jep nderin më të madh të jetës. Kjo detyrë është obligim serioz dhe sfidë e madhe që do i qasem me dinjitet. Ndjehem pafundësisht mirënjohës ndaj të gjithë qytetarëve që guxuan të ëndërrojnë. Guximi për ndryshim mos të ndalet këtu, forca dhe bashkimi do na duhen, edhe në vazhdim. Jam i vetëdijshëm që sfidat do jenë të shumta por vullneti për ta bërë realitet Prishtinën gjithëpërfshirëse, është dëshira e të gjithëve”, ka thënë ai.

Ai ka premtuar nisje të menjëhershme të punës, për siç tha “bërë Prishtinën vend të të gjithëve me plot gjallëri, mundësi e zhvillim”.

“Të nderuar asamblistë, si kryetar u Prishtinës do bashkëpunojë me secilin prej jush për të mirën e Prishtinës, i mirëpres të gjithë pa dallim”, tha Rama.

Përparim Rama me nënën e tij në ceremoninë e pranimit të detyrës. Foto: KALLXO.com