Përfundon takimi i Lajçakut me ambasadorët e akredituar në Kosovë

Para se të mbajë takimin me krerët opozitarë, emisari i Bashkimit Europian për dialog, Mirosllav Lajçak ka zhvilluar një takim me ambasadorët e akredituar në Kosovë.

Ambasadorët janë parë me vetura zyrtare teksa largohen nga zyra e BE-së në Prishtinë, pa u deklaruar para mediave.

Lajçak tashmë është duke zhvilluar një takim me krerët opozitar:  Kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri si dhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe emisari Lajçak në takimin që kanë zhvilluar të hënën kanë diskutuar në lidhje me të gjitha aspektet e ndërlidhura me zbatimin e plotë të Marrëveshjes bazike të Brukselit dhe aneksit implementues të Ohrit.

Kështu është bërë e ditur në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Tutje në këtë komunikatë është thënë se Republika e Kosovës është e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për njohje reciproke.

Për takimin ka shkruar në platformën “X” edhe emisari Lajçak.

Ai tha se me Bislimin kanë diskutuar për nevojën e zbatimit të Marrëveshjes për normalizim pa kushte dhe vonesa.

Lajçak ka thënë se janë dakorduar për hapat e ardhshëm por nuk ka treguar se cilët janë ata.

“Sapo u takova me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi për të përcjellë takimin e fundit me liderët europianë në Bruksel dhe nevojën për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për rrugën e normalizimit pa vonesa dhe parakushte. Ne ramë dakord edhe për hapat e ardhshëm”- ka shkruar ai.

Vizita e emisarit Lajçak në Kosovë vie rreth dhjetë ditë pas takimeve të fundit në Bruksel më 26 tetor.

Në ato takime, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq u takuan ndaras me krerët e Gjermanisë, Francës, Italisë por edhe përfaqësues të lartë të BE-së.

Pas takimit, ai deklaroi se ishte i gatshëm për ta nënshkruar propozimin që i ishte dorëzuar më 21 tetor nga pesëshja e madhe, që përfshinte një draft statut të vetëmenaxhimit.

“Pavarësisht ofertës sime, Serbia refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen dhe draftin e 21 tetorit. Përkundrazi, ajo kërkoi një letër anësore që do të anulonte 3 parime të marrëveshjes dhe propozimin e 21 tetorit. Pranimi do të thotë nënshkrim, dhe nënshkrimi garanton pranimin dhe zbatimin”- ka thënë Kurti.

Një ditë pas këtij takimi, Kurti para gazetarëve theksoi se drafti për vetëmenaxhimin, i paraqitur nga emisarët europianë e amerikanë, do të kontrollohej menjëherë nga Gjykata Kushtetuese për ta vlerësuar kushtetutshmërinë, nëse do të nënshkruhej në Bruksel.

Ai u shpreh se drafti është shkruar me kujdes ndaj strukturës së Kushtetutës, teksa shtoi se Kosova është e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe njohje reciproke.