Përfshihet në një përleshje, deputeti i PDK-së flet për KALLXO.com

Në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë të shtunën është zhvilluar ndeshja Mitrovica – Feronikeli në kategorinë e vajzave për titullin e Superligës, të cilin e fituan vashat mitrovicase.

Gjatë ndeshjes kishte tensione e kacafytje ndërmjet zyrtarëve të dy klubeve në shkallët e stadiumit.

Në një video të publikuar në media shihet edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja, Bekim Haxhiu, duke u përfshirë në incident.

Në pamje Haxhiu shihet duke e goditur me shuplaka një person.

KALLXO.com e ka kontaktuar Bekim Haxhiun.

Ai mohon se i ka dhënë ndonjë shuplakë ndokujt. Sipas tij, ai ka ndërhyrë për  ta ndarë djalin e vëllait, që mos të përleshej.

“Ai është djali i vllaut tim që nuk e kam lënë me u përlesh me tjerët, që i kam nda se nuk kam shpërnda asnjë shuplakë, por vetëm i kam ndarë mos me pasë përleshje. Ai është djali i vllaut tim për mos me ra në provokime me shpifësin Ragip Veselin. Ai është djali i vllaut tem që s’e kam lënë me bo probleme në stadium. Nuk është shuplakë, po e kam tërhek për qafe edhe e kam shtyrë për mos me pasë problem”, ka thënë Bekim Haxhi për KALLXO.com.

Kujtojmë se Hajrullah Haxhiu, vëllai i deputetit, e drejton klubin e futbollit KFF Mitrovica.