Dhëndri i 'Kamishit' në bordin e Ujësjellësit 'Prishtina'

Qeveria Haradinaj e ka kompletuar bordin e Kompanisë Rajonale Ujësjellësit “Prishtina”. Në bordin e kësaj ndërmarrje përveç nipit të deputetes Sala Berisha Shala është emëruar edhe Bajram Jashari, dhëndëri i deputetit tjetër të PDK-së, Bekim Haxhiu.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu e ka pranuar se ka lidhje familjare me Jasharin, por mohoi të ketë ndikuar në zgjedhjen e Jasharit anëtar të bordit.

“Bash burri i motrës time është. Me duar të mia e kam rritë Bajramin edhe pse unë kam lind pas tij me duar të mija e kam rritë. Unë se kam dit kur ka konkuru lidhje s’kam pas, se me pas ditë që ka konkuru ish kon mirë”, tha Haxhiu kur është pyetur për lidhje familjare që ka me Bajram Jasharin. Deputeti Haxhiu njihet në publik si Kamishi, nofkën të cilën e kishte gjatë luftës së UCK-së.

Por, Jashari ka paralajmëruar padi nëse publikojmë lajmin për lidhjet e tij me deputetin Haxhiu.

“Kjo është diçka krejt private dhe si pyetje kom pas edhe të kaluarën dhe jam jurist me profesion, dhëndri i kujt jam, grua kë e kam, ku i kam të martuara motrat, kjo është diçka familjare. Në momentin që secili gazetar merret me këtë çështje private me mu takohet në Gjykatë këtë ta them”, tha ai për KALLXO.com.

Organizata “Cohu” kishte publikuar një hulumtim në të cilin tregonte për lidhjet dhe postet që Jashari kishte me Partinë Demokratike të Kosovës.

Jashari e ka pranuar për KALLXO.com që ka qenë pjesë e PDK-së, por se tash e një kohë i kanë ndarë rrugët me politikën.

“Jo, kam dhënë dorëheqje (nga PDK) në kohën kur ka qenë Agim Ceku kryetar për kandidat komunë, në vitin 2010-2011”, tha ai.

Jashari po ashtu është edhe sekretar i ndërmarrjes “Ibër Lepenc”, për të cilën tha se nuk e konsideron si konflikt interesi.

“Nuk e konsideroj si konflikt interesi sepse Agjencia kundër Korrupsion është marrë me këtë, e kam vendimin dhe është trajtuar para disa vitesh”, tha ai.