Për shtatë ditë në Kosovë kanë vdekur 170 qytetarë me COVID-19

170 qytetarë në Kosovë kanë vdekur gjatë shtatë ditëve të fundit, të gjithë ishin të infektuar me COVID-19.

Këto statistika i bëri të ditura sot Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë një konference për media.

Ai shtoi se nga 170 të vdekur 149 prej tyre kanë qenë të pavaksinuar.

Vitia theksoi se qëllimi i ministrisë është të vazhdohet trendi i rritjes së vaksinave të administruara gjatë muajve në vazhdim.

“Nga 400 mijë vaksina të administruara gjatë muajit gusht presim që të kemi edhe më shumë të vaksinuar në muajin shtator. Kjo javë ka qenë një javë e vështirë për qytetarët tanë dhe për personelin shëndetësorë”, tha ai.

“Natyrisht, numri i të infektuarve ka pasur një rënie të lehtë por vazhdon të jetë akoma i lartë deri tani në javën e fundit janë bërë, pa e llogaritur ditën e sotme, janë bërë në total 83 mijë e 794 teste me një mesatare ditore rreth 12 mijë teste”, shtoi tutje.

Ministri poashtu foli edhe për pacientët e hospitalizuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës por edhe në shtatë spitalet rajonale në vend, këtu duke theksuar se këtë javë është thyer rekord i të hospitalizuarve në nivel vendi.

Nga mesatarisht 1200 pacientë të hospitalizuarve rreth 90% e tyre kanë qenë të konfirmuar pozitiv me SARS-CoV-2, ministri gjatë konferencës bëri të ditur se 93% e pacientëve nëpër spitale kanë qenë të pavaksinuar.

Sa i përket vaksinimit, Vitia, njoftoi se nga 13 shtatori i këtij viti të gjithë punëtorëve të administratës do t’i kërkohet dëshmia e vaksinimit apo testim PCR i bërë gjatë 72 orëve të fundit.

“Sot kam kërkuar që të lajmërohen të gjithë punëtorët e administratës në mënyrë që të kemi mundësin e vaksinimi të të gjithë atyre që dëshirojnë të vaksinohen, Policia e ka dërguar listën e policëve të pavaksinuar”, shtoi ministri.

Kosova ka vendosur masa të reja për parandalim të përhapjes së pandemisë COVID-19 të cilët janë në fuqi deri më 13 shtator, ndërsa në anën tjetër ministri bëri të ditur se varësisht nga situate do të vazhdohen masat.

Nga të dhënat e fundit të ministrisë bëhet e ditur se brenda 24 orëve në nivel vendi janë vaksinuar 20 mijë e 479 qytetarë, përderisa nga 29 marsi kur edhe ka filluar vaksinimi në Kosovë janë dhënë 882 mijë e 718 doza të vaksinës, përderisa deri më sot janë vaksinuar 298mijë e 445 qytetarë me dozën e dytë.

Nga 12 shtatori qendrat e vaksinimit në Kosovë do të punojnë edhe të dielave.

Nga 12 shtatori qendrat e vaksinimit do të punojnë edhe të dielave