Nga 12 shtatori qendrat e vaksinimit do të punojnë edhe të dielave

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia e ka konifmruar se që nga 12 shtatori procesi i imunizimit përmes vaksinave në nivel vendi do të fillojë të bëhet shtatë ditë në javë.

Ai tha se nga 12 shtatori vaksinimi do të bëhet edhe të dielave, kështu duke e rritur numrin e dozave të dhuruara brenda ditës.

Deri më tani procesi i vaksinimit është kryer nga e hëna deri të shtunën, por jo edhe të dielën.

Ministri theksoi poashtu se deri më tani janë administruar gati 900 mijë vaksina dhe mbi 300 mijë qytetarë janë vaksinuar me dy doza e mbi 300 mijë më një dozë.

Nga të dhënat e fundit të ministrisë bëhet e ditur se brenda 24 orëve në nivel vendi janë vaksinuar 20 mijë e 479 qytetarë, përderisa nga 29 marsi kur edhe ka filluar vaksinimi në Kosovë janë dhënë 882 mijë e 718 doza të vaksinës, përderisa deri më sot janë vaksinuar 298mijë e 445 qytetarë me dozën e dytë.