Për 20 ditë u regjistruan vetëm 13 automjete me targa RKS

Video mesazhet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në të cilat i bënin thirrje qytetarëve serb të Kosovës që t’i regjistronin veturat e tyre me tabela të Republikës së Kosovës (RKS) nga ato ilegale KM, PZ,GL, PR, UR, siç duket nuk kanë pasur ndikim, pasi që deri më tani vetëm 13 vetura janë regjistuar me RKS nga qytetarët serbë.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës e ka konfirmuar se që nga 1 tetori, kur ka filluar procesi i regjistrimit të veturave nga targat ilegale, në targa RKS-së, janë vetëm 13 vetura që e kanë kryer këtë proces.

Dëri në përfundimin e paraparë për regjistrim të veturavë kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë deri në përfundim të afatit, vetëm 13 qytetarët serb kanë marrë tabelat e Republikës së Kosovës.

Nga ministria e Punëve të Brendshme, për KALLXO.com kanë thënë pas datës 31 tetor, qarkullimi me tabela ilegale nuk do të lejohet brenda territorit të Kosovës.

“Siç parasheh edhe legjislacioni në fuqi, qytetarët të cilët nuk i regjistrojnë veturat e tyre edhe pas afatit të përcaktuar nga Qeveria e Kosovës, do të llogariten si pronarë të veturave të paregjistruara dhe veturat e tyre nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë këtu edhe pike kalimet kufitare” – thuhet në përgjigjet e MPB-së.

Infografika: Diar Vuçetaj/Kallxo

Ndërsa i dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i ka kërkuar presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti shtyrjen për 10 muaj të vendimit.

“Nuk është sekret që ne kemi kërkuar një periudhë më të gjatë të zbatimit, dhe kemi kërkuar edhe 10 muaj të tjerë. Do të doja ta shihja këtë që të ndodhte. Kjo nuk është vetëm kërkesë e ShBA-ve, por e gjithë QUINTIT. Dhe, kjo është për shkak se ne jemi shtetet që e përkrahim më së shumti Kosovën. Besojmë se është e rëndësishme që kur ne bëjmë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë ato” – ka thënë të mërkurën Escobar në një intervistë në Kanal 10.

Për kërkesën e tij, Escobar nuk ka marrë zotim as nga shefja e shtetit e as nga kreu i ekzekutivit.

“Jo, nuk e morëm. Prandaj, ende po e pres këtë. E di që do të ketë edhe të tjerë zyrtarë nga Quinti që do të vizitojnë, zoti Lajçak do të jetë këtu. Dua të sigurohem që njerëzit që janë të përfshirë në negociata të dëgjojnë një përgjigje pozitive për këtë.” – ka theksuar ai.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu për KALLXO.com ka thënë se nuk do të ketë shtyrje të afatit sepse e kanë për obligim respektimin e ligjit.

“Ne i kuptojmë shqetësimet dhe brengat dhe i ndajmë po ato me të, sepse siguria e paqja janë vlera dhe interes jetik e i përbashkët. Njëkohësisht, ne kemi për obligim sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë, vendimet qeveritare. Njëra nuk bën ta përjashtojë tjetrën. Nuk është data 31 e as 30 tetor sot. Jemi në kuadër të fushatës për konvertimin e targave ilegale në ato legale RKS” – ka thënë Kryeziu.

Pikërisht targat kishin qenë njëra nga arsyet që të mërkurën e javës së kaluar, në Kosovë zbarkoi edhe përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Lajçak u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin për dialog Besnik Bislimi.

Përderisa Bislimi e Kurti nuk u deklaruan, Lajçak tha që duhet shmangur tensionet për shkak të targave.

“Tema e dytë e agjendës ishte çështja aktuale, përkatësisht ajo me energjinë dhe ajo e targave të veturave pasi siç e dini afati i fundit është në fund të tetorit dhe është e rëndësishme për ne që të dimë planet si dhe të shmangim situata të cilat mund të eskalojnë, sepse nuk është në interesin e askujt” – kishte thënë ka thënë Lajçak me 13 tetor të këtij viti.

Më 29 qershor të këtij viti, qeveria kishte marrë dy vendime që preknin qytetarët serbë në Kosovë.

Vendimi i parë ishte që të aplikojë reciprocitet ndaj qytetarëve të Serbisë, të cilët kur hyjnë në Kosovë do të pajisen me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumenteve zyrtare të identifikimit.

Ndërsa i dyti ishte që pronarët e automjeteve me targat ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’, që janë pajisur nga 10 qershori 1999 e deri më 21 prill 2022, t’u mundësohet regjistrimi i automjeteve me targat RKS.

Zbatimi i vendimeve u shtyrë për një muaj, pas tensioneve në veri të vendit, ku u mobilizuan qytetarët serb dhe lëshuan sirenat në komunat me shumicë serbe.

Qeveria e Kosovës edhe pas sugjerimit të ambasadorëve të QUINT-it, për të qetësuar situatën vendosi që të shtyhej për një muaj zbatimin e vendimeve.

Në shtator me ndërmjetësimin e BE-së, pas tensioneve të gushtit palët arritën dakordim për letërnjoftimet.

Ndërsa për procesi i regjistrimit u hap më 1 shtator, duke u liruar nga pagesa e taksave të regjistrimit.

Marrëveshja për lirinë e lëvizjes midis Kosovës dhe Serbisë është arritur në vitin 2011 në Bruksel.

Me këtë dokument, targat serbe me shenjat e qyteteve të Kosovës, si PR (Prishtinë), GL (Gjilan) KM (Mitrovicë), janë hequr. Domethënë, automjetet me targa të tilla është dashur të regjistrohen sërish me RKS (Republika e Kosovës) ose me status neutral – KS (Kosovë).

“Të gjithë pronarët e makinave me vendbanim në Kosovë do të përdorin targa RKS ose KS. Ato do të lëshohen nga autoritetet përgjegjëse në Kosovë”, thuhet në pikën 7 të Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes.

Por, pavarësisht saj, në katër komuna në veri të Kosovës, ku shumica e popullsisë është serbe, qytetarët kanë vozitur makina me targa të qyteteve në Kosovë, të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë.

Në anën tjetër, qytetarët e Kosovës nuk kanë mundur të hyjnë në territorin e Serbisë me targa RKS, pa shpenzime. Ata është dashur t’i zëvendësojnë ato me targa të përkohshme. Kështu që, me marrëveshje, Kosova është detyruar që edhe për pesë vjet të tjerë të lëshojë targa KS, të cilat Serbia i ka pranuar.

Marrëveshja teknike për lirinë e lëvizjes, e vitit 2011, është finalizuar në Bruksel më 14 shtator, 2016, kur Kosova ka rënë dakord që të zgjasë vlefshmërinë e targave KS edhe për pesë vjet.