Pejë, vdesin dy pacientë të dyshuar për COVID-19 por të patestuar

Dy pacientë të dyshuar për COVID-19 por të patestuar, kanë vdekur në spitalin e Pejës gjatë 24 orëve të fundit, ka njoftuar Spitali i Përgjithshëm në Pejë.

“Fatkeqësisht gjatë ditës së djeshme 2 paciente të patestuara por të dyshuara me Covid-19 kanë vdekur. Njëra paciente ka qenë nga Komuna e Klinës e moshës 78 vjeçare, ndërsa pacientja tjetër ka qenë e Komunës së Pejës e moshës 84 vjeçare. Spitali i Përgjithshëm në Pejë shpreh ngushëllime familjarëve të të ndjerave,” thuhet tutje në njoftim.

Spitali ka njoftuar se aty po trajtohen 70 pacientë me COVID-19, prej tyre 29 në oksigjenoterapi dhe gjashtë në gjendje të rëndë.

“Në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë me Covid-19 aktualisht po trajtohen 70 pacientë. 29 pacientë janë në Oksigjeno terapi, 6 pacientë janë në gjendje më të rëndë. ndërsa pacientet e tjerë janë në gjendje më stabile. Nga personeli i Spitalit 6 Mjek, 15 Infermierë dhe 3 punëtor të shërbimit teknik janë të infektuar me Covid-19,” thuhet në njoftim.

Kurse gjatë 24 orëve të fundit në këtë spital kanë marr trajtim emergjentë 216 pacientë, prej tyre 26 janë shtrirë për trajtim të mëtejshëm. Janë kryer gjashtë lindje, pesë operacione kurse 239 pacientë kanë bërë analiza.