Pejë, 42 pacientë me COVID-19, spitali me një respirator

Spitali Rajonal i Pejës është duke trajtuar 42 pacientë me COVID-19, tre prej tyre po asistohen me oksigjeno- terapi, ndërsa të tjerët në gjendje stabile.

Shtatë pacientë të tjerë tashmë janë shëruar.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i spitalit Naim Sahiti.

Këta pacientë po trajtohen në repartin e infektivës.

Për të trajtuar pacientët me COVID-19 mantelbardhëve u duhen masa mbrojtëse, me të cilat Sahiti tha se Spitali i Pejës është mjaftueshëm i furnizuar.

“Kemi mjete mbrojtëse nuk kemi pasë mungesë të tyre. Kemi nevojë për aparaturë, por jo sa i përket trajtimit me COVID. Kemi nevojë për aparaturë të përgjithshme”, tha zëdhënësi.

Spitali ka dy respiratorë por për shkak të nevojës për respiratorë në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë janë detyruar të dërgojnë njërin prej tyre atje.

Ndërsa, tani janë duke funksionuar me vetëm një respirator.

“I kemi pasë dy respiratorë, një prej tyre e kemi dërguar në Prishtinë me kërkesën e tyre”, tha ai.

Edhe pse në këtë spital janë 34 shtretër të pashfrytëzuar prapë është krijuar hapësirë tjetër në rast se ka rritje të rasteve me coronavirus.

Përveç repartit të Infektivës është krijuar hapësirë edhe në repartin e mushkërive.

“Për momentin kemi 34 shtretër të lirë. Por kemi krijuar hapësirë edhe në repartin e mushkërive në rast se ka nevojë për trajtim të pacientëve”, u shpreh Sahiti.

Sahiti tha se për t’u përballur me numrin e të infektuarve, Spitali ka marrë staf nga repartet tjera, sidomos infermierë ndërsa aktualisht në këtë spital punojnë vetëm dy infektologë.