PDK, u rikthehet premtimeve për rritje të pagave

Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovë, Enver Hoxhaj ka prezantuar programin e Rimëkëmbjes që e ofron partia e tij.

Para se të prezantoj programin, Hoxhaj tha se kanë një ekip të gatshëm për të punuar për Rimëkëmbjen e Kosovës.

“Një ekipi që është rezultat i përpjekjeve njëzetvjeçare të partisë tonë, në krye me Hashim Thaçin e Kadri Veselin”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj ka shpjeguar se çka domethënë Rimëkëmbja për ta.

“Rimëkëmbje për studentin domethënë studime falas në universitet; rimëkëmbje për të rinjtë e papunë domethënë 15 milionë euro për të nxitur ndërmarrjet e reja; për mjekun domethënë mundësi për të ushtruar profesionin e tij këtu, pranë familjes, në qytetin e tij. Mjeku duhet të ketë pagë dinjitoze 1mijë e 500 euro për mjekun specialist dhe 650 euro për infermierët”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj ka pasur premtime edhe për fermerët, e që sipas tij rimëkëmbja e PDK-së, do të thotë: shlyerje deri në 50 për qind e kredive; për mësuesit rritje e pagave në 600 euro; për profesorët e shkollave të mesme rritje e pagave në 700 euro; për profesorët universitarë dhe akademikët rritje e pagave në 1 mijë e 800 euro.

“Projekti i Rimëkëmbjes, po ashtu, nënkupton pensione dinjitoze për kategoritë e dala nga lufta, për veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve. Pensionet do të rriten nga 170 në 300 euro. Si dhe rritje prej 40 për qind të pensioneve për pensionistët”, tha ai duke shtuar se ky është vizioni i tyre i përbashkët.

“Në këtë besojnë të gjithë kandidatët e Listës së Rimëkëmbjes. Këto janë parimet që na bashkojnë. Parimet që na frymëzojnë. Parime për të cilat do të punojmë së bashku”, tha Hoxhaj.

Ai premtoi se së bashku do ta rimëkëmbin Kosovën dhe do t’i dalin zot Kosovës përballë Serbisë.

“Së bashku do ta mbrojmë Kosovën nga kërcënimi i autoritarizmit. Së bashku do t’i rregullojmë marrëdhëniet me miqtë dhe aleatët tanë. Së bashku do ta bëjmë Kosovën një shtet me dinjitet. Një shtet ku sundon ligji. Së bashku do ta zhvillojmë Kosovën në çdo aspekt. Së bashku do ta ndreqim imazhin e Kosovës dhe do t’ia kthejmë krenarinë Kosovës. Së bashku për Rimëkëmbje”, tha përfunduar Hoxhaj.