Takimi i Partisë Demokratike të Kosovës. Foto: Memli Krasniqi/Facebook

PDK: Qeveria s’ka më kredibilitet, vendi ka nevojë për zgjedhje të parakohshme

Kryesia e grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës ka mbajtur sot një takim me kryetarin e kësaj partie, Memli Krasniqi.

Sipas një njoftimi për media, në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, respektivisht, siç thonë ata, krizën politike, e cila, sipas tyre erdhi si pasojë e veprimeve të papërgjegjshme dhe të fshehta të Qeverisë së Kosovës.

Në njoftim është thënë se prishja e raporteve më miqtë ndërkombëtarë, vendosja e sanksioneve ndaj Kosovës, bashkëpunimi me kriminelin Millan Radojiçiq dhe Listën Serbe, takimet dhe vendimet e fshehta në dëm të interesit nacional janë disa prej shkaktarëve të cilët kanë bërë që kjo Qeveri ta humbasë tërësisht kredibilitetin e saj.

“Gjatë këtij takimi, Kryetari Krasniqi, Kryesia e Partisë, deputetët e Grupit Parlamentar, dënuan edhe një herë provokimin dhe dhunën e Qeverisë ndaj deputetëve të PDK-së, të shkaktuar në seancën e Kuvendit, të enjten më 13 korrik” – thuhet tutje në komunikatë.

Po ashtu është thënë se sipas Krasniqit, i gjithë ky orkestrim i Qeverisë ndodhi për të tërhequr vëmendjen nga skandali më i madh politik në vend në të cilin janë përfshirë ata vetë – koordinimi, bashkëpunimi dhe planifikimi i veprimeve politike bashkë me kriminelin Millan Radojiçiq, në dëm të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.

Në këtë takim po ashtu u tha se u vendos që PDK njëzëri të kërkojë zbardhjen e të vërtetës, e cila sipas tyre fshihet prapa përgjimeve të cilat dëshmojnë bashkëpunimin e fshehtë të Qeverisë Kurti me Radojiçiqin dhe Listën Serbe.

“PDK nuk do të ndalet për asnjë moment, derisa e vërteta e plotë e koketimit të kësaj Qeverie me kriminelin Radojçiq të merret vesh plotësisht. PDK kërkon nga Qeveria e Kosovës që të tregoj se çfarë po ndodhë edhe me situatën në pjesën veriore të Kosovës. Psë lëshoi pe Qeveria dhe pranoi të tërhiqet nga pjesa veriore, pas disa muajve të tensionit dhe detyrimit të aleatëve tanë që t’i vënë sanksione Kosovës? Pse u liruan kriminelët serbë të arrestuar për sulmet ndaj gazetarëve dhe KFOR-it?” – thuhet tutje.

Po ashtu është thënë se për të gjitha këto veprime dhe takimet e fshehura dhe të paparalajmëruara të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës me ata të Serbisë dhe të Bashkimit Evropian, PDK kërkon transparencë dhe llogaridhënie të plotë.

“Gjithsesi, duke parë se kjo Qeveri nuk ka më asnjë lloj kredibiliteti për të qeverisur me vendin – PDK konsideron se zgjidhja e vetme për ta larguar Kosovën nga kjo rrugë e shkatërrimit të çdo gjëje që është arritur në vitet e lirisë e të shtetësisë, është mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme, sa më parë. Formimi i një qeverie të re që do të kthejë Kosovën në binarët e rrugës euro-atlantike është jetike për vendin dhe të ardhmen e qytetarëve tanë. Vetëm duke rivendosur e forcuar aleancat ndërkombëtare e forcojmë edhe shtetin tonë” – thuhet në njoftim.

Tutje është thënë se në fund të këtij takimi, Krasniqi njoftoi anëtarët e Kryesisë dhe deputetët e grupit parlamentar për vizitën zyrtare që kishte në Paris dhe Bruksel, ku u tha se takoi shumë miq dhe aleatë të Kosovës.

“Në të gjitha këto takime, Kryetari Krasniqi ka potencuar se veprimet e Qeverisë nuk janë vullnet i qytetarëve të Kosovës dhe nuk përfaqësojnë qëndrimin e tyre. Në këtë kontekst, Kryetari Krasniqi ka kërkuar që Kosova dhe qytetarët tanë, si vendi dhe populli më proevropian në rajon, të mos ndëshkohen me sanksione për shkak të kësaj kryeneqësie politike të një individi. Kosova, sikur historikisht, mbetet e palëkundur në bashkëpunimin e saj me aleatët ndërkombëtarë dhe në rrugëtimin e saj euro-atlantik” – vazhdohet në njoftim.

PDK shtoi se do të përcjellë zhvillimet e ardhshme me vëmendje të plotë dhe, karshi këtyre zhvillimeve, do të shfrytëzojë të gjitha mjetet demokratike në dispozicion që të ndalojë shkatërrimin e së ardhmes së shtetit të Kosovës, të ruajë interesin e shtetit dhe të qytetarëve të Kosovës.