PDK: Në 100 ditët e fundit, kryeministrit Kurti 45 i kaloi jashtë Kosovës

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka kaluar 45 ditë jashtë vendit në 100 ditët e fundit, pa arritur asnjë rezultat.

Çitaku i ka bërë thirrje Kurtit që të rikthehet në Kosovë dhe të merret me shqetësimet dhe problemet e qytetarëve, të cilët sipas saj janë në luftë për ekzistencë.

“Në këtë kohë kur shumica e familjeve kosovare po ballafaqohen me krizën më të madhe ekonomike, me rritjen enorme të çmimeve të produkteve bazike për jetesë, kryeministri i vendit i cili do të duhej të ndërmerrte hapa për tejkalimin e krizës, ka zgjedhur që të ikë nga Kosova e të kalojë kohë nëpër vizita, të cilat thënë më së buti, do të mund të quheshin studimore”, ka thënë Çitaku.

Çitaku shtoi se Kurti po ikë prej përgjegjësisë që e ka marrë nga vota e qytetarëve.

“Nga njoftimet publike të qeverisë, vetëm gjatë tre muajve të fundit, kryeministri Kurti ka qëndruar 45 ditë jashtë Kosovës, por, pa sjell asnjë sukses të vetëm nga këto vizita të stërzgjatura dhe tërësisht atipike për një Kryeministër në detyrë. Gjysmën e kohës në 100 ditët e fundit, kryeministri Kurti e ka kaluar jashtë Kosovës”, tha Çitaku.

Sipas Çitakut, “qytetarët e braktisur nga qeveria”, me rritje enorme të çmimeve, me energji deri trefish të shtrenjtuar, me inflacion prej mbi 14 përqind, zgjidhjen po e shohin ikjen nga Kosova.

“Qytetarët e Kosovës e kanë votuar Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen më 14 shkurt duke besuar në premtimet e tyre. Por, ajo çka po shohin është se inflacion më të madh se çmimet, kanë pësuar vet premtimet e Kryeministrit”, ka thënë ajo.

Çitaku tha se shqetësimet e Kryetarëve të Komunave të Kosovës, pa dallim partie po ankohen se qeveria i ka bllokuar të gjitha projektet, duke mos ndarë buxhet për realizimin e projekteve komunale.

Ndërkaq, gjatë ditës së sotme, zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se kryeministri i vendit Albin Kurti është duke qëndruar në Greqi nga 5 korriku, për të marrë pjesë në dy konferenca.

Kurti në Greqi nga 5 korriku, zëdhënësi i Qeverisë thotë se shpenzimet mbulohen nga organizatori

Edhe në muajin maj të këtij viti kryeministri Kurti ka zhvilluar vizitë tri javore, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

‘Mesazhi’ që po përcjell vizita e gjatë e Kurtit në Amerikë

Kjo është shuma e parave të shpenzuara nga Kurti dhe delegacioni i tij gjatë qëndrimit trejavor në SHBA