‘Mesazhi’ që po përcjell vizita e gjatë e Kurtit në Amerikë

Janë bërë më shumë se 10 ditë prej kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vizitën e paralajmëruar në shtator e në nëntor të një viti më parë, Kurti arriti ta realizojë më 6 maj të këtij viti.

Ndonëse nuk e takoi presidentin e SHBA-së, Joe Biden, i pari i Qeverisë arriti të takonte këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jake Sullivan, kongresistë dhe senatorë të ndryshëm.

Komunikatat e Qeverisë tregojnë se Kurti ka vizituar kompani si ‘Microsoft’, ‘Uber’, ‘Linkedln’, ‘Matter’ të cilat i ka ftuar që ta shohin Kosovën si treg për investimet e tyre.

Kurti udhëtoi në disa vende si Kalifornia, Michigan, Iowa, në të cilat takoi edhe përfaqësues të komunitetit shqiptar që jeton në Amerikë.

Politologu Belul Beqaj në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se kryeministri Kurti në këtë vizitë po kryen aktivitete të ministrave.

“Kryeministri po e keqkupton rolin qe e ka, ose në pamundësi që ta kryejë rolin qe e ka, po kryen aktivitete që u takojnë kryesisht ministrave”, tha ai.

Për Beqajn vizita e Kurtit pa takuar asnjë zyrtar të lartë amerikan është devalvim i pozitës të cilën e mban.

“Meqë nuk po i realizon takimet e dëshiruara po i realizon takimet e mundura. S’do mend se ky është devalvim i peshës se kryeministrit, pavarësisht nga (mos)suksesi i takimeve”, ka theksuar ai.

Në anën tjetër, analisti politik Artan Muhaxhiri ka thënë se raportet e kryeministrit Albin Kurti me Administratën amerikane janë më të ndryshme sesa të paraardhësve të tij në lidershipin kosovar.

“Kjo është arsyeja kryesore që vizita e shumëpërfolur pritej me kërshëri, pasi konsiderohej si mënyra më e qartë për vërtetimin apo demantimin e kualifikimeve mbi marrëdhëniet mes Qeverisë Kurti dhe Qeverisë amerikane, që vijnë nga pozicione të kundërta politike”, ka thënë ai.

Muhaxhiri e ka vlerësuar si pozitive faktin që Kurti ka takuar përfaqësues të gjigandëve teknologjikë globalë, por që sipas tij kjo ka mundur të ndodhë në cilëndo kohë.

‘Skenari më i mirë do të ishte sikur kryeministri Kurti t’ia kushtonte pjesën absolute të vizitës takimeve, harmonizimeve të veprimeve dhe planifikimeve të përbashkëta me vendimmarrësit e politikës amerikane’, ka theksuar ai.

Tutje sipas Muhaxhirit, aleanca jetike e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënkupton që një kryeministër i Kosovës nuk do të duhej të kishte probleme të mëdha për t’i takuar disa herë në vit zyrtarët më të lartë shtetërorë amerikanë, në situata dhe vende të ndryshme.

“Mungesa e takimeve të tilla është indikator i padiskutueshëm për ekzistimin e një lloj hendeku mes dy qeverive. Qëndrimet amerikane shpesh bëhen të ditura edhe në mënyrë simbolike, prandaj përzgjedhja e kësaj qasjeje ka domethënie specifike”, ka theksuar ai.

Për Muhaxhirin për arsye të veçantisë së shtetndërtimit të Kosovës, asnjë kryeministër yni nuk mund të ketë qeverisje të suksesshme pa bashkëpunime të vazhdueshme dhe kuptimplote me SHBA-në.

“Kryeministri Kurti duhet të investojë shumë më tepër vullnet, angazhim dhe përkushtim në rritjen e kualitetit të raporteve të tij me Administratën amerikane. Gjithçka që ka rëndësi parësore për Kosovën ndërlidhet, në mënyrë direkte apo indirekte, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës’, ka theksuar ai.

Në fund të muajit shtator të vitit 2021 në Kosovë kishte dyshime nga opozita se kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i ishte refuzuar viza për të udhëtuar në SHBA.

Në atë kohë lajmi u denoncua si i rrejshëm, ndërsa premtimi i kryeministrit që vizita do ndodhë në nëntor 2021 nuk ndodhi.

E i pyetur për këtë çështje, Kurti kishte thënë se në SHBA do të shkojë për dhjetë ditë ose dy javë.

“Edhe jo që do të shkoj, por edhe do të kthehem. Do të më duhet të qëndrojë pak më shumë se zakonisht ashtu që edhe do të mund të ma bëni pyetjen “e kur do të ktheheni”, u përgjigj kryeministri Kurti në pyetjen e KALLXO.com.

Në këtë vizitë të gjatë të tijën, kryeministri i Kurti nuk u prit në Shtëpinë e Bardhë, për dallim nga paraardhësi i tij, Avdullah Hoti.

Ish-kryeministri Hoti kishte arritur të futet në zyrën ovale, ku në praninë e presidentit të atëhershëm të SHBA-së Donald Trump kishte nënshkruar një marrëveshje.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u nënshkrua më 4 shtator të vitit 2020.

Dy versione të dokumenteve për palën e Kosovës dhe atë të Serbisë i kanë nënshkruar Hoti dhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Për dallim nga Hoti që shkoi në Amerikë pa asnjë telash, ish-kryeministri Ramush Haradinaj kishte pasur ‘telashe’ për t’u pajisur me vizë amerikane.

Vendimi për të vendosur taksë tregtare për mallrat e Serbisë dhe Bosnje e Hergecovinës, i kishte acaruar pakëz raportet e ish-kreut të ekzekutivit me shtetin mik.

Përderisa mediat raportonin që i është refuzuar viza në janar të vitit 2019, ishte vetë Haradinaj që kishte thënë se nuk do shkojë.

“Ftesë kam marrë për Lutje të Mëngjesit, me klimën e taksës nuk do të shkoj edhe pse qejf kam pasur”, pati thënë Haradinaj.

Telashe me vizë ai kishte pasur edhe në janar të vitit 2018, ku edhe e kishte pranuar se nuk i është dhënë viza.

Mirëpo siç duket telashet e pajisjes me vizë amerikane për Haradinajn kanë marrë fund tani që është deputet.

Kur Kurti kritikohej se nuk po takohet me asnjë figurë shtetërore në kuadër të kësaj vizite, Haradinaj më 11 maj u prit në takim nga emisari amerikan Gabriel Escobar në Departamentin e Shtetit.