Kurti në Greqi nga 5 korriku, zëdhënësi i Qeverisë thotë se shpenzimet mbulohen nga organizatori

Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se kryeministri i vendit Albin Kurti është duke qëndruar në Greqi nga 5 korriku, për të marrë pjesë në dy konferenca, për të cilat shpenzimet janë mbuluar nga organizatori.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është në vizitë zyrtare në Greqi nga data 5 korrik. Ai ka udhëtuar në Athinë me ftesë të organizatorëve të dy konferencave të rëndësishme, atë të “The Economist” dhe Simpoziumit Symi, në të cilat kryeministri Kurti ka qenë pjesë e paneleve të diskutimit”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.

Tutje zëdhënësi i qeverisë ka sqaruar se ky është viti i 5-të që Kurti merr pjesë në Simpoziumin Symi.

“Sikur herave të kaluara edhe këtë vit shpenzimet e akomodimit mbulohen nga organizatori”, ka theksuar ai.

Më 5 korrik, kryeministri Kurti ka udhëtuar për në Greqi për të marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët me Qeverinë e Greqisë.

Kryeministri Kurti ka marrë pjesë në panelin me temë “Evropa juglindore: A mund të ketë stabilitet dhe prosperitet në rajon?”

Krahas kryeministrit Kurti, të ftuar në panel janë edhe Dritan Abazoviq, kryeministër i Malit të Zi, Zoran Zaev, ish-kryeministër i Maqedonisë së Veriut, Sir Stuart Peach, i dërguari special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor dhe George Katrougkalos, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë. Paneli do të drejtohet nga Joan Hoey, drejtor për Evropë, The Economist Intelligence Unit, redaktor, The Democracy Index.

Kurti kishte qenë pjesë e këtij simpoziumi edhe vitin e kaluar, e zëdhënësi i qeverisë Përparim Kryeziu edhe atëherë kishte sqaruar se shpenzimet mbulohen nga organizatori.

Kryeziu: Shpenzimet e udhëtimit dhe të akomodimit të Kurtit në Greqi janë mbuluar nga organizatori