PDK: Letra e Kurtit presion i hapur ndaj Gjykatës Kushtetuese

Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se dënon ashpër atë që e kanë quajtur “kërcënim i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti ndaj Gjykatës Kushtetuese”.

Sipas partisë së Kadri Veselit, letra e dërguar prej kryeministrit të shkarkuar Kurti, është një shkelje e parimit të ndarjes së pushteteve. Ai ka thënë se teksti i asaj letre duhet konsideruar si një cënim i rëndë i pavarësisë së institucionit më të lartë të vendit që bën interpretimin përfundimtar të aktit themeltar të shtetit të Kosovës.

“Tendenca për të ndikuar përmes kërcënimit, shantazhit, gjuhës së urrejtjes dhe dhunës në vendimit e institucionit të Gjykatës Kushtetuese por edhe  të institucioneve të tjera të pavarura, është tashmë një praktikë e njohur e Lëvizjes Vetëvendosje. Prandaj Partia Demokratike e Kosovës i bën thirrje kryeministrit të shkarkuar Kurti, që të heq dorë nga presionet, sulmet, hakërrimet apo kërcënimet që është duke i bërë Gjykatës Kushtetuese dhe kujtdo institucioni tjetër të pavarur”, njofton PDK.

PDK ka bërë thirrje që partitë të respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Po ashtu, fton të gjithë partitë politike dhe institucionet shtetërore, që të respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese pa përjashtim, duke respektuar pavarësinë  dhe autoritetin e këtij institucioni. Vetëm në këtë mënyrë mund të mbrojmë rendin demokratik dhe kushtetues të shtetit tonë dhe të garantojmë sundimin e ligjit në Kosovë”, thuhet në fund të njoftimit.