PDK: Kurti e Vitia të japin llogari pse e dështoi furnizimi me vaksina

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri përmes një konference për media tha se dokumentet e publikuara nga mediat tregojnë se Qeveria Kurti qëllimshëm e ka dështuar procesin e furnizimit me vaksina.

“Dokumentet e publikuara nga mediumet tona të lira, tregojnë qartë që ky dështim është i qëllimshëm. Ne kërkojmë sot nga kryeministri Kurti dhe ministri Vitia të tregojnë se pse ka dështuar ky furnizim me vaksina në Republikën e Kosovës, kërkojmë sqarim, kërkojmë transaparencë nga kryeministri i Republikës së Kosovës, ai i cili dje organizonte ceremoni për marrjen e donacioneve nga Covax”, ka thënë Tahiri, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Po ashtu, Shefi i GP të PDK-së ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca që ta thërras Kryesinë e Kuvendit për të caktuar seancën për diskutimin e kërkesave të dorëzuara dje nga PDK, sepse qeveria e ka për detyrë të dalë dhe të japë sqarime rreth çështjes së sigurimit të vaksinave.