PDK kritikon Qeverinë Kurti për menaxhim me pandeminë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës me kryeministër Albin Kurtin për menaxhimin me pandeminë.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri në një konferencë për media nga oborri i Kuvendit, tha se në këto tri javë ka pasur qeveri por jo edhe qeverisje.

“Ne po shohim se për këto 20 ditë, kemi pasur Qeveri, por nuk kemi pasur qeverisje dhe as plan për qeverisje. Kjo flet për mungesë përgjegjësie, mungesë aftësie dhe mungesë njohurie. Përveç një ndihme të vogël, Qeveria nuk ka siguruar asnjë vaksinë. E vetmja gjë që kryeministri Kurti ka ndërmarrë deri më tash – ka qenë një urdhër për izolim për qytetarët e Kosovës, përderisa ministrat dhe deputetët e partisë së tij kanë çarë rrethimin dhe kanë dalë në Shqipëri për të bërë fushatë zgjedhore. Kryeministri Kurti është vaksinuar vetë, dhe ai ndihet komod me faktin se i ka pranuar 25 mijë vaksina donacion – një ndihmë kjo e siguruar nga Qeveria e kaluar, por nuk ka bërë asnjë hap për të siguruar edhe qindra mijëra vaksina të tjera që u duhen më shumë se kurrë qytetarëve të Kosovës”, tha Tahiri.

Tahiri ka kritikuar edhe shkuarjen dhe angazhimin e LVV në Shqipëri.

Ai tha se Kurti nuk ka marr asnjë hap as për ekonomi.

“Ka marrë një vendim për mbyllje të disa profileve të bizneseve për një periudhë të caktuar, dhe i ka ekspozuar dy ministra në një konferencë për media – për ta dhënë gjoja një lajm se këto biznese do kenë mbështetje, edhe pse nuk u sqarua deri më sot – as si, as sa dhe as kur do ta ofrojë Qeveria këtë mbështetje”, u shpreh Tahiri.

“Ajo që është edhe më shqetësuese – është se tashmë kemi hyrë në një periudhë që konsiderohet si sezon pune dhe iniciativë ekonomike, ku bizneset, punëtorët dhe ndërmarrësit bëhen aktivë për të gjeneruar punë dhe për të bërë planet e tyre vjetore”, shtoi tutje.

Tahiri shtoi se një seancë jashtëzakonshme e Kuvendit po bëhet e domosdoshme në lidhje me këtë situatë.