Ilustrim

PDK kërkon themelim të një komisioni hetimor, LVV: Tendencë që të tërhiqet vëmendja nga seanca e sotme në OKB

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po kërkon themelimin e një Komisioni  Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi ka thënë se gjendja në të cilën gjendet politika e jashtme, kërkon adresim të menjëhershëm.

“Gjendja në të cilën gjendet politika e jashtme kërkon adresim të menjëhershëm në mënyrë që të ndalohet trendi i degradimit të mëtejmë të kësaj fushe të rëndësishme. Fatkeqësisht kjo ministri ka shënuar regres në përmbushjen e përgjegjësive të saj ligjore, kjo përveç tjerash emërimin dhe shkarkimin e paligjshëm të anëtarëve të shërbimeve të jashtme dhe zyrtarëve të ministrisë”- tha ajo.

Musliu-Shoshi tha puna hetimore e komisionit do të përfshijë periudhën 22 mars të vitit 2021, pra përgjatë mandatit të qeverisë.

“Fushëveprimi i punës hetimore të komisionit të propozuar, do të përfshijë dhe do të kufizohet në ndriçimin e fakteve, konstatimin dhe përshkrimin e  rrjedhjes së ngjarjeve me qëllim të qartësimit të asaj se çfarë ka ndodhur nga vendimet, veprimet e mos veprimet e titullarëve të MPJ-së në menaxhimin e stafit diplomatik”- shtoi ajo.

Ndërkaq, Arbëreshë Kryeziu nga Lëvizja Vetëvendosje tha se në parim janë pro themelimit të këtij komisioni, por që të hetohet edhe periudha para vitit 2021.

Ajo theksoi se çështja e themelimit të këtij komisioni do të duhet të diskutohej në një seancë tjetër, kur prezentë do të ishte edhe ministrja Donika Gërvalla.

“Ministrja Gërvalla nuk gjendet këtu sepse është në New York, në Këshill të Sigurimit për ta mbrojtur Republikën e Kosovës përballë kërkesës së Vuçiqit për të diskutuar për Kosovën sot aty. Çka do të duhej të bënim sot ne, do të ishte që bashkërisht do të duhej të ishim në mbrojtje të asaj se si do të prezantohet sot Republika e Kosovës dhe jo të tentohet të tërhiqet vëmendja me një kërkesë të tillë për të krijuar një komision hetimor në një moment kaq të rëndësishëm si ky, që pritet të ndodhë pas pak orësh”- ka deklaruar Kryeziu.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë deklaruar se janë pro themelimit të komisionit hetimor parlamentar.

Shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri kur propozoi themelimin e këtij Komisioni në fund të javës së parë të shkurtit, e arsyetoi duke thënë që kanë informata që ka edhe persona të tjerë të cilëve i janë dhënë kontrata të ngjashme si e Gani Jakupit.

“Pasi kemi pasur fakte të mjaftueshme për degradimin e shërbimit diplomatik po ashtu mediat kanë zbuluar një sërë kontratash për njerëz të angazhuar me shuma marramendëse që s’ka ndodhur më herët si rasti i Gani Jakupit, paga e të cilit kalon çdo limit e standard në Kosovë”- tha Tahiri.

Nga Ministria kishin thënë për KALLXO.com që gjatë periudhës kohore 2022/2023 në Misionet Diplomatike të Republikës së Kosovës nuk ka pasur asnjë konsulentë të jashtëm të angazhuar për çështje kulturore dhe mediatike, përpos Gani Jakupit.

Ndërkaq, edhe pse KALLXO.com ka dërguar pyetje nëse ka kontrata tjera pas dhjetori, pavarësisht këmbënguljes akoma nuk ka marrë përgjigjje.

Më 27 dhjetor KALLXO.com kishte arritur që përmes rrugës ligjore të marrë qasje në kontratën e Gani Jakupit, pas kërkesave të shumta për ta pasur këtë kontatë për të cilën e dërgoi rastin edhe në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

Kontrata është lidhur për periudhën qershor 2023 – qershor 2024.Çmimi i plotë i kësaj kontrate është 90 mijë euro bruto dhe paguhet në 12 këste të barabarta nga 7 mijë e 500 euro.