Grafika: Kallxo.com

PDK-ja reagon pas deklaratave të Florin Krasniqit

Kandidati për deputet nga PDK, Arben Gecaj në emër të shtabit zgjedhor të PDK-së ka mbajtur një konferencë për media në lidhje me deklarimet e ish-deputetit të VV-së, Florin Krasniqi, i cili kishte thënë se kjo parti ka marrë para nga Devollët.

“Të gjithë qytetarët e Kosovës e kuptuan mbrëmë publikisht nga ish deputeti i VV-së Florin Krasniqi dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Albin Kurti që Kurti ka shantazhuar bizneset kosovare duke u marrë me dhjetëra mijëra euro në mënyrë korruptive. Këtu mbrëmë ai ka përmendur edhe kompaninë Devolli”, ka thënë Gecaj.

Sipas tij, që nga viti 2010 Kurti dhe VV kanë kërkuar nga qytetarët e Kosovës donacione në emër të të Kosovës, që sipas tij me arsyetimin se donacionet e vogla nga qytetarët e shpëtojnë nga bizneset e mëdha.

“E vërteta është se VV që nga fillimi ka marrë nga bizneset të holla kurse donacionet e vogla kanë qenë mënyra më e mirë për të shpërndare paratë e bizneseve.  Në këtë listë të PDK-së shihet se 90% e donacioneve janë bërë nga vetë krerët e VV-së, duke përfshirë, Albin Kurti, Glauk Konfujca, Visar Ymeril, Shpend Ahmeti Alublena Haxhiu, Liburn Aliu”, ka thënë kandidati për deputet i PDK-së.

Gecaj tha se sipas një liste që e ka siguruar PDK, shumica e parave të dhuruara për VV-në janë të familjarëve të udhëheqësve të kësaj partie.

‘Është e cuditshme se me dhjetëra mijërta euro janë dhuruar edhe nga familjarët e krerëve të VV-së, paratë që I kanë marrë nga bizneset ua kanë shpërndarë militantëve partiakë kinse janë  qytetarëve me vullnet të mirë. Pse VV ka deklaruar vetëm 500 euro donacion të Devollit, pse i mbanë fshehtë, pse nuk i ka deklaruar paratë rreth 20 mijë euro që mbrëmë publikisht i pranoi ish-anëtari I VV-së Florin Krasniqi”, ka thënë Gecaj.

Ai madje ka thënë se edhe prokuroria do të duhej të merret me këtë rast.

“Kurti gjithë kauzën e tij politike e kishte filluar duke akuzuar Devollët, madje në një intervistë të brendshme ishte vetë Kurti që tha po ka mundësi që kemi marrë para nga Devollët. Kjo shpërfaq dyfytyrësi dhe sjellje korruptive, në fakt në Kuvendin e Kosovës ai kishte mbajtur para dy vitesh një fjalim lidhur me këtë gjë. Po të kishte prokurori funksionale organet e rendit do të duhej të merren në pyejte nganjëherë njeriun i cilin pranon që ka marrur para ryshfet”, ka shtuar Gecaj.

Ish-deputeti i VV-së, Florin Krasniqi, gjatë një interviste në T7, ka treguar detaje për një takim  mes tij dhe Albin Kurtit me biznesmenët nga familja Devolli.

Ai kishte thënë se ka qenë prezent në një takim me dy vëllezërit Devolli gjatë vitit 2011, ku sipas tij Albin Kurti ka kërkuar mbështetje financiare nga ta. Madje, sipas tij, shuma që kishte kërkuar Kurti nga biznesmenët e njohur ishte 20.000 euro, 10.000 nga të cilat Krasniqi thotë se Kurtit i erdhën në tavolinë gjatë takimit.