Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PDK dhe LDK në Dragash ende pa koalicione, po presin përgjigje nga partitë e tjera

Kandidatët e partive që janë në balotazh në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Dragashit kanë treguar se me cilat parti kanë biseduar për mundësinë e lidhjes së koalicioneve.

Shaban Shabani nga PDK tha në “Debat Përnime” tha se deri më tash kanë biseduar me Vetëvendosjen dhe partinë Vakat, por se ende nuk kanë marrë përgjigje.

“Bazuar në rezultatin e zgjedhjeve imponohen koalicionet. Si PDK i kemi ofruar ofertat për LVV dhe Vakat dhe ata janë duke i shqyrtuar. Ne po presim dhe në rast se nuk i pranojnë ofertat ne do të bashkëpunojmë me qytetarët”, ka thënë Shabani.

Në anën tjetër, Bexhet Xheladini nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se kanë biseduar me të gjitha partitë.

“Ne kemi bërë biseda me të gjitha partitë politike dhe jemi në pritje të përgjigjes së tyre, përveç partisë së dytë që jemi rival në zgjedhje”, ka thënë Xheladini.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Dragashit, po diskutojnë në “Debat Përnime” për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në “Debat Përnime” janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Dragash: Bexhet Xheladini nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Shaban Shabani nga Partia Demokratike e Kosovës.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini ka marrë 35.7% të votave kurse Shaban Shabani i Partisë Demokratike të Kosovës ka marrë 32.6%.