Foto: KALLXO.com

Pastrohet 'Tulltorja' e Prishtinës, Rama u bën thirrje qytetarëve që ta mbajnë të pastër ambientin

Në prag të Ditës së Tokës është bërë pastrimi dhe largimi i deponisë ilegale të mbeturinave tek ‘Tulltorja” në lagjen “Kodra e Trimave” të Prishtinës.

Për realizimin e këtij aksioni pjesmarrës ishin dhjetëra trupa nga Forca e Sigurisë së Kosovës, trupa nga brigada e zjarrfikësve në Prishtinë dhe po ashtu edhe nga Policia e Kosovës.

Ky pastrim është organizuar nga Komuna e Prishtinës, dhe i pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe kryetari i kësaj komune, Përparim Rama.

Nga aty ai pati thirrje ndaj qytetarëve që ta ruajnë ambientin dhe të mos krijojnë deponi ilegale.

“I lus qytetarët që të kenë parasysh, që qyteti është i të gjithëve dhe duhet të gjithë së bashku të punojmë që ta mbajmë të pastër për veten tonë, për rininë tonë për të ardhmen tonë për çdo pjestarë të kryeqytetit”, tha ai.

Përpos për qytetarët, lutje të njëjtë i pari i Prishtinës pati edhe për bizneset.

“Edhe kompanive të ndryshme iu lutem të bëjnë hedhjen në deponitë, kemi tashmë dy deponi, janë në Obiliq dhe në Mirash, pra duhet të shfrytëzohen ato, jo të bëhen hedhje nëpër hapësira publike”, tha Rama para gazetarëve.

Ndërkaq, Naim Haziri, gjeneral brigade në FSK tha se përkrahja e tyre në iniciativa të tilla nuk do të mungojë.

“Edhe forcat e sigurisë së Kosovës pavarësisht misionit të saj që e ka, jemi përgjigjur dhe do t’i përgjigjemi çdo herë çdo kërkese dhe iniciative qoft në nivelin lokal qoft në atë qëndror që shkon në funksion të një mirëqenie më të mirë për qytetarët e Kosovës” tha ai.

Latif Zeka, Komandant i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, theksoi se zjarrfikësit do të jenë gjithmonë të gatshëm për të tilla raste.

“Ne jemi gjithmonë, së bashku e bëjmë dhe do ta bëjmë atë që duhet” theksoi ai.

Përkrahje të njëjtë dhe pjesëmarrje nga pjestarët e Policisë së Kosovës nëpër aktivitete të dobishme për shoqërinë pohoi edhe Bekim Bislimi, komandant i Stacionit Policor verior në “Kodrën e Trimave”.