Pas raportimit të KALLXO.com, Komuna e Prizrenit urdhëron kompaninë ta rregullojë Parkun e Qytetit brenda 15 ditësh

Komuna e Prizrenit ka inspektuar Parkun e Qytetit të Prizrenit pas raportimit të KALLXO.com dhe gjatë inspektimit ka vënë re një numër të konsiderueshëm parregullsish në mirëmbajtje për të cilat ka urdhëruar operatorin t’i rregullojë në afat prej 15 ditësh.

“Për shkak të sezonit dimërorë nuk ka pasur vizita të fëmijëve në pjesën e lodrave. Inspektimi i sotëm, i motivuar edhe me njoftimin tuaj( për ç’ gjë ju falënderojmë), konstaton edhe pohimet tuaja, veç kërkesave tjera të evidentuara nga ana e Inspektorit të Mjedisit”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Shërbimeve Publike të Komunës së Prizrenit.

Në kopjen e procesverbalit të dërguar nga Komuna thuhet se inspektimi në park është bërë pas e-mailit zyrtar nga KALLXO.com.

“Pas pranimit të e-mailit zyrtarë nga KALLXO.com u konstatua se kishte dëmtim të disa lojërave statike për fëmijë, ËC publike nuk ishin funksionale, ulëset nuk ishin në gjendje të rregullt disa nga to, si dhe disa lisave duhet t’u largohen degët e thara në mënyrë që të mos paraqesin rrezik për qytetarët”, thuhet në procesverbalin e Inspektoratit, i cili më pas ka urdhëruar OE të mirëmbajë Parkun dhe në afat prej 15 ditësh të rregullojë të gjitha dëmet, ndryshe do të pasojnë masat ligjore.

Gjithashtu në këtë dokument, operatori ekonomik, i cili ka kontratë dhjetëvjeçare me Komunën e Prizrenit për mirëmbajtjen e Parkut të Qytetit, është pajtuar me të  gjetjeve si dhe ka pranuar urdhrat e Inspektoratit që të rregullojë parregullsitë në Park.

Këndi i lojërave në Parkun e Qytetit në Prizren, i dëmtuar dhe pa mirëmbajtje