Mbeturinat mbulojnë sipërfaqet buzë rrugëve në disa fshatra të Mitrovicës

Në fshatin Zhabar i Epërm, në vendin ku kalon lumi Ibër shihen një numër i madh i mbeturinave.

Copëza të trotuareve, blloqeve e goma të makinave janë vetëm disa nga mbetjet inerte që shihen në këtë zonë.

Valent Ibishi, banor i Mitrovicës po pretendon se në zonën afër brigjeve të lumit Ibër, gjegjësisht në pjesën mbi Liqenin Artificial po hedhen mbetje nga rrënimi i shtëpive në atë zonë si dhe nga punimet për rregullimin e rrugëve të cilat po kryhen në qendër të qytetit.

“Në këtë hapësirë publike, goxha të madhe, me vite të tëra shkarkohen mbetjet e rrënimeve të shtëpive nga kamionët e kompanive të ndryshme, por më skandalozja që po ndodh tani është se me gjasë edhe kompania e cila është duke u marr me rregullimin e hapësirës publike në qendër të qytetit (rregullimi/sanimi i rrugëve, trotuareve, parkingjeve) është duke i hedhur mbetjet në këtë zonë gjithashtu”- ka thënë Ibishi.

I njëjti akuzon kompaninë “Bageri” për hedhjen e mbetjeve nga punimet që bëhen në qendër të qytetit, ndërsa kompaninë “Sabit Balinci” e akuzon për hedhjen e mbeturinave sipas tij nga rrënimi i shtëpive.

“Kjo kompani që është në foto (Sabit Balinci) i kanë rrënu katër shtëpi, e kanë pru e kanë zbraz këtu e më pas me bager e kanë rrafshu. Ndërsa mbetjet e punimeve në qytet siç shihet në foto mbrojtëset e trotuareve dhe asfalti po shihet i premë po mendoj që “Kompania Bageri” është kompania që i ka hedh atje sepse e njëjta është duke punu në qendër të qytetit”- theksoi ai.

KALLXO.com ishte aty të enjten me datë 7 dhjetor për ta parë nga afër gjendjen.

KALLXO.com ka kontaktuar kompaninë “Sabit Balinci” dhe kompaninë “Bageri”.

Elvedin Pllana, djali i pronarit të kompanisë “Sabit Balinci” ka mohuar një gjë të tillë dhe ka thënë se e njëjta kompani ka bërë rrafshimin e pronës private dhe nuk ka fare të bëjë me hedhjen e mbetjeve.

“Jo kompania jonë nuk i ka hedh ato mbeturina. Dikush ia ka dëmtu pronën të cilën e ka pas deri te Ibri. Edhe më pas ka gjuajt dikush bërllok aty. Edhe neve na ka kontaktu si kompani që me shku me ia rrafshu vendin. Bërlloku u kanë aty. Është një person privat, prona është e tij. Ka lyp me ja çu edhe do dhe me ja qit pronën qysh e ke pasë. Do betona që janë kanë poshtë na kena me rrafshu dhe me pru pronën qysh u kanë”- ka thënë Pllana.

I njëjti ka thënë se kjo çështje është qartësuar me komunën.

“U anku dikush në komunë. Ne kemi marrë vërejtje nga inspeksioni komunal në komunë, e kemi faktu që ajo është pronë private. Ka pas bërllok, ia ka ba dikush në atë mënyrë. E na e kena rrafshu. Unë e kam faktu këtë çështje me komunë në inspeksion komunal, me pronarin e tokës”.

KALLXO.com ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Kompania ‘Bageri’, mirëpo të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm në telefon.

Granit Tmava, Drejtor i Shërbimeve Publike dhe Infrastrukturës ka thënë për KALLXO.com se shprehet i shqetësuar për këtë gjendje dhe tutje thotë se operatorët ekonomikë duhet të hedhin mbeturinat në deponi legale.

“Të gjithë Operatorët Ekonomik të kontraktuar nga Komuna e posaçërisht që janë nën menaxhimin e DSHPI-së në shkresën zyrtare të lëshuar nga menaxherët e kontratave obligojmë që Operatorët të hedhin mbeturinat në deponinë legale njëherit edhe në paramasën e ofertës kryesisht shkruan që mbeturinat apo largimin e materialit nga traseja t`i largojnë në deponinë legale, në të kundërtën inspektorati mund të merr masa në këtë drejtim, përveç materialeve që ne specifikojmë që nevojitet dhe mund të hyjë në funksion kërkojmë nga operatorët të dërgojnë në vendin ku ne caktojmë që të ruhet në mënyrë që atë ta përdorim më vonë”- ka thënë Tmava.

Ndërsa Valon Brahimi, drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Mitrovicës ka thënë se zona për të cilën bëhet fjalë është kompetencë e inspektorëve të ambientit dhe se rasti është ende në fazën e trajtimit.

“Si drejtori kemi pranuar ankesa nga personi i apostrofuar Valent Ibishi. Me rastin jemi duke u merr seriozisht dhe në suaza të kompetencave që na lejon ligji si drejtori inspektorët tanë do ta kryejnë punën e tyre. Ndërkohë në mënyrë  ju lutem udhëzojeni palën ankuese që përmes juve ose personalisht vet të na ofroj dëshmi konkrete që dëshmojnë që kompanitë e sipercekura janë pjesë e ketij dëmi të shkaktuar të pretenduar meqë rasti është akoma në proces të trajtimit”- ka thënë Brahimi.

Tutje ai thotë se drejtoria nuk ka munduar ta verifikojë kurrë cila kompani po i hedh mbeturinat.

“Aty nuk ka shanse me dalë pronë private se është buzë Ibrit. Në këtë rast ne jemi shkallë e parë dhe mundemi me vepru vetëm nëse na vjen një shkresë prej Ministrisë në kuptimin e asaj që ne me i kry punët në favor të tyre, me i mirëkuptu ne. Nuk kemi kompetencë me u përgjigj për brigje të lumenjve që janë jashtë zonës urbane. Kanë dal në terren inspektorët por ne e kemi konstatuar në kadastër që nuk është pjesë e jona”, theksoi Brahimi.

Ndërsa Egzon Sadiku, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje të Mjedisit thotë se komuna e Mitrovicës ka qenë në krye të listës për dallim nga komunat e tjera për hedhje ilegale të mbeturinave.

“Ne si Drejtori për Mjedis në vazhdimësi kemi bërë përpjekje në pastrimin e këtyre deponive ilegale apo këtyre mbetjeve inerte që fatkeqësisht po hedhen nga persona të pandërgjegjshëm brigjeve të lumenjve dhe në pjesë të tjera. Në bazë të informatave të përgjithshme që i posedojmë (jo specifikisht për rastin në fjalë) sa i përket gjobave mandatore të lëshuara për hedhje ilegale të mbeturinave komuna e Mitrovicës ka qenë në krye të listës në raport me komunat tjera”- ka thënë Sadiku.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe  Departamentin për inspektimin e mjedisit, natyrës dhe ujërave.

Elbasan Shala, Inspektor për mbrojtjen e ujërave në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka thënë se inspektorati ka bërë inspektimin e komunave mirëpo për rastin në fjalë nuk ka përgjigje konkrete.

“Ne si inspektorat i MMPH-së në të kaluarën i kemi inspektuar komunat dhe me procese kemi kërkuar që të i caktojnë deponitë për mbetjet inerte në mënyrë që këto mbeturina mos të hudhen gjithandej nëpër mjedis.  Neve do të vazhdojmë edhe në të ardhmen me inspektim dhe për çdo shkelje do të marrim masat e parapara me ligj”- ka thënë Shala.

Ndryshe, ai thotë së gjatë këtij viti  janë bërë rreth 20 inspektime jashtë planit të punës të cilat kanë pasur të bëjnë me degradim të mjedisit, në të gjitha rastet janë marr masa si: Vendime për ndërprerje të punëve, shqiptime të gjobave, inicime penale dhe konfiskime të pajisjeve me të cilat është shkaktuar dëmi mjedisor.