Omer Shkrijel, Foto: KALLXO.com

Pas raportimit të KALLXO.com jep dorëheqje mjeku nga Lipjani

Pas raportimit të KALLXO.com për mjekun nga Lipjani, Omer Shkrijel i cili mbante katër vende pune në të njëjtën kohë, ky i fundit ka dhënë dorëheqje nga Qendra e Mjekësisë Familjare (QMF) në Janjevë.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan, Agim Krasniqi.

“Ka ofruar dorëheqje të hënë, ka deklaru për gjithçka edhe ka dhënë dorëheqje”, ka thënë Krasniqi.

KALLXO.com para disa ditësh kishte raportuar për Shkrijel.

Ai përpos punës së tij që e kishte në QMF në Janjevë, punonte edhe në tre laboratorë privat.

Një gjë të tillë e kishte pranuar edhe vet mjeku.

Madje, Shkrijel e kishte pranuar se gjatë orarit të punës në QMF në Janjevë shkonte dhe punon edhe në laboratorë të tjerë.

“Po, më pak se dy orë e kam lënë [punën], po s’është kanë ambulanta vet”, kishte thënë Shkrijel për KALLXO.com.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë një profesionist shëndetësor, i cili është i angazhuar në sektorin publik me orar të plotë, ka të drejtë të ofrojë shërbime edhe për katër orë të tjera në sektorin privat.

Doktor Omer Shkrijel në bazë të fletë-evidencës të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan brenda muajit shkurt ka mbajtur orarin e paradites në punë. Ai ka kryer shërbime shëndetësore në QMF në Janjevë nga ora 08:00 deri në orën 14:00.

KALLXO.com kishte siguruar disa dokumente ku tregohet se Shkrijel në po të njëjtën ditë, përpos QMF-së në Janjevë ka qenë prezent edhe në tre laboratorë të tjerë privatë; në “Analiza-Lab”, në “Family Med” dhe në “Kanada Med&Lab”.

Këto dokumente janë të gjitha të vulosura me vulë e emër të doktorit të njëjtë, pra Omer Shkrijel.

Dokument i siguruar nga KALLXO.com
Dokument i siguruar nga KALLXO.com
Dokument i siguruar nga KALLXO.com
Dokument i siguruar nga KALLXO.com

Madje, në dokumentet e siguruara ishte parë se doktori në periudhën e njëjtë kohore ia kishte dalë që të japë shërbime shëndetësore për pacientë në tri lokacione të ndryshme.

Sipas fletë-evidencës së QKMF-së, ku tregohej vijueshmëria e doktorit në punë, thuhej se më 21 shkurt 2022, Omer Shkrijel kishte qenë në punë nga ora 08:00 e deri në 14:00.

Për t’u çuditur është fakti se në dokumentet e siguruara nga KALLXO.com thuhej se në po të njëjtën ditë, në ora 10:47 doktori Shkrijel ka pranuar pacientë në laboratorin “Kanada Med&Lab”.

Vetëm një e orë e gjysmë më pas, në 12:17, i njëjti mjek kishte pranuar pacientë të tjerë, mirëpo në një tjetër laborator, në “Family Med”.

Madje, dokumentet e siguruara nga KALLXO.com tregonin që më 21 shkurt 2022, doktor Omer Shkrijel ka qenë edhe në vendin e tij tjetër të punës, në laboratorin “Analiza-Lab”.

KALLXO.com kishte kontaktuar me Komunën e Lipjanit për të parë nëse ishin në dijeni për këtë.

Në disa përgjigje për KALLXO.com, Drejtorati i Shëndetësisë kishte treguar se nuk ka informacione nëse doktori Omer Shkrijel, që ka pozitën si mjek i përgjithshëm në institucionet shëndetësore të Lipjanit, është në punë që nga data 15 dhjetori i 1987-ës.

Drejtorati kishte treguar se nuk kanë pas dijeni nëse Shkrijel ka vend pune edhe në institucione të tjera shëndetësore.

“Ne nuk kemi informacion se ky mjek punon edhe në institucione tjera”, ishte thënë në përgjigje. ​

Në anën tjetër, as tre laboratorët privatë nuk e kishin mohuar se Shkrijel ka një vend pune te ta.

KALLXO.com kishte kontaktuar me këta tre laboratorë.

“Family Lab” kishte thënë se doktori Shkrijel është pjesë e stafit të tyre dhe punon në orarin e paradites.

“Po, është i stafit tonë, mirëpo e ka kry orarin paradite [..]. Punon në orarin paradite, këtu te na punon në bazë të rregullave”, patën thënë për KALLXO.com nga ky laborator.

Që Omer Shkrijel është koleg edhe i stafit mjekësor në “Kanada Med&Lab” nuk e ka mohuar doktori i këtij laboratori, Nexhmedin Lekiqi.

“Punon, por në këtë kohë nuk është duke punu, punon në Janjevë. [..]. Është pjesë e stafit tonë, punon masdite, po qeto ditë i ka nja dy-tri ditë të lira. […]. Zakonisht punon nga ora 15:30 deri në 17:30”, kishte thënë Lekiqi për KALLXO.com.

Një konfirmim që Omer Shkrijel ka vend pune edhe në laboratorin “Analiza-Lab”, e patën edhe konfirmuar këta të fundit.

“Po, punon prej orës 13:00 deri në ora 16:00. [..]. Çdo ditë punon”, kishin thënë nga ky laborator për KALLXO.com.

VIDEO: Mjeku e pranon se gjatë orarit të punës në QMF shkon punon edhe në ordinanca private