Gjaku i prodhuar në laborator jepet tek njerëzit në provën e parë klinike

Gjaku që është prodhuar në një laborator është dhënë te njerëzit në provën e parë klinike në botë, thonë studiuesit në Mbretërinë e Bashkuar.

Sasi të vogla – të barabarta me disa lugë – po testohen për të parë se si funksionon ky gjak brenda trupit.

Pjesa më e madhe e transfuzioneve të gjakut do të varen gjithmonë tek njerëzit që dhurojnë, por qëllimi përfundimtar është të prodhohen grupe gjaku vitale, tepër të rralla, të cilat janë të vështira për t’u gjetur.

Këto janë të nevojshme për njerëzit që varen nga transfuzionet e rregullta të gjakut në raste si anemia (pasojë e crregullimit të qelizave të kuqe).

Nëse gjaku nuk përputhet, atëherë trupi fillon ta refuzojë atë dhe trajtimi dështon. Ky nivel i përputhjes së indeve shkon përtej grupeve të njohura të gjakut A, B, AB dhe O.

Profesoresha Ashley Toye, nga Universiteti i Bristolit, tha se disa grupe janë “me të vërtetë të rralla” dhe mund të jenë vetëm 10 njerëz në vend në gjendje të dhurojnë.

Për momentin, janë vetëm tre njësi të grupit të gjakut “Bombay” në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar – të identifikuara për herë të parë në Indi.

Si prodhohet gjaku?

Projekti kërkimor përbëhet nga ekipe në Bristol, Kembrixh, Londër dhe Qendra për Transfuzion të gjakut. Kërkimi fokusohet në qelizat e kuqe të gjakut që transportojnë oksigjen nga mushkëritë në pjesën tjetër të trupit.

Procesi kalon në disa faza:

-Fillon me një dhurim normal të gjakut (rreth 470 ml)
-Rruazat magnetike përdoren për të nxjerrë qeliza staminale (burimore) që janë të afta të shndërrohen në qelizë të kuqe të gjakut.
-Këto qeliza staminale inkurajohen të rriten në numër të madh në laborator
-Dhe më pas udhëzohen për t’u bërë qeliza të kuqe të gjakut
-Procesi zgjat rreth tre javë, grupi fillestar prej rreth gjysmë milioni qelizash burimore rezulton në 50 miliardë qeliza të kuqe të gjakut.

“Ne duam të prodhojmë sa më shumë gjak të jetë e mundur në të ardhmen, kështu që vizioni në kokën time është një dhomë plot me makineri që e prodhojnë atë vazhdimisht nga një dhurim normal gjaku,” tha Prof Toye.

Dy personat e parë kanë marrë pjesë në testin, i cili synon të testojë gjakun në të paktën 10 vullnetarë të shëndetshëm. Ata do të marrin dy doza prej 5-10 ml me një distancë prej të paktën katër muajsh – një dozë gjak normal dhe një doze gjak të rritur në laborator.

Shpresohet se gjaku i rritur në laborator do të jetë më i fuqishëm se normali.

Qelizat e kuqe të gjakut zakonisht zgjasin për rreth 120 ditë përpara se t’u duhet të zëvendësohen. Një dhurim tipik gjaku përmban përzierje të qelizave të kuqe të gjakut, të reja dhe të vjetra, ndërsa gjaku i rritur në laborator është i gjithi i sapobërë, kështu që duhet të zgjasë 120 ditë.

Studiuesit dyshojnë se kjo mund të ndikojë në dhurime më të vogla dhe më pak të shpeshta në të ardhmen.

Sfidë tjetër është se qelizat burimore (staminale) eventualisht shterojnë veten, gjë që kufizon sasinë e gjakut që do të prodhohet. Prandaj, do nevojiten më shumë kërkime për të prodhuar vëllimet e gjakut që nevojiten klinikisht. /BBC