Pas ngjarjeve në veri, KQZ thërret mbledhje në orën 18:00

Pas ngjarjeve në veri të Kosovës me zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, lidhur me situatën e krijuar KQZ do të mbajë mbledhje me fillim nga ora 18:00.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi i cili tha se janë në koordinim të vazhdushëm edhe me institucionet tjera.

“Jemi në pritje të njoftimeve nga Zyrtarët Komunal të Zgjedhjeve të cilët gjatë ditës së sotme, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës kanë shkuar në zyret e tyre, në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok, me qëllim të ushtrimit të detyrave zyrtare, por kjo nuk ishte e mundur. Në këto raporte do të sqarohet situata e krijuar. KQZ-ja është në koordinim të vazhdueshëm me institucionet tjera. Lidhur me situatën e krijuar, KQZ-ja do të mbajë mbledhje, sot, me fillim në orën 18:00”- tha Elezi për KALLXO.com.

Gjatë ditës së sotme ka qenë e paraparë që zyrtarët e përzgjedhur të lartë komunal së bashku me zyrtarë të KQZ-së, Ministrisë së Pushtetit Lokal të vendosen nëpër komunat me shumicë serbe të cilat tash e sa javë janë duke funksionuar pa kryetarë të komunave për shkak se të njëjtit kanë dhënë dorëheqje.

KALLXO.com mëson se KQZ ka kërkuar tash e disa ditë që gjatë kësaj kohe kur pritej të vendoseshin zyrtarët e lartë komunal që janë përzgjedhur për të zëvendësuar ata të dorëhequrit, të kenë edhe mbështetjen e Policisë së Kosovës.

Tutje siç mëson KALLXO.com në momentet kur është tentuar zëvendësimi i zyrtarëve të lartë, është lëshuar edhe alarmi në pjesën veriore të Kosovës.

Dyshime se ndaj zyreve të KQZ-së u gjuajt edhe me ‘shock bomba’