Pas dëmtimit të pajisjeve nga shiu, Shqipëria mbështet Kosovën për trajtimin e pacientëve me radioterapi

Shqipëria do të ndihmojë Kosovën për trajtimin e pacientëve kosovarë me radioterapi.

Kështu ka bërë të ditur sot Ministria e Shëndetësisë, ku thuhet  se ministri Rifat Latifi ka pranuar ndihmën nga homologia e tij shqiptare, Orgeta Manastirliu.

Ndihma ka ardhur pas situtatës së krijuar në Klinikën e Onkologjike të ShSKUK-së, ku kjo klinikë u vërshua pas reshjeve të shiut dhe si pasojë u dëmtuan dy pajisje.

“Bazuar në bashkëpunimin e vazhdueshëm reciprok, por edhe në Marrëveshjet e bashkëpunimit në fushën e Shëndetësisë, midis Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Shqipërisë, shprehim angazhimin tonë maksimal për të krijuar mundësinë e trajtimit të pacientëve nga Kosova në njësinë tonë të Radioterapisë”, thuhet në letrën e Manastirliut, drejtuar Latifit.

Në këtë kuadër, thuhet në vazhdim të letrës, po përvijohet një plan i përbashkët pune në nivel teknik për të mundësuar plotësimin e nevojave të përcjella nga Shërbimi i Onkologjisë së Kosovës në përputhje me mundësitë e Shërbimit Onkologjikë Tiranë, sipas prioriteteve të përcaktuara nga specialistët e dy vendeve dhe kapaviteteve të Shërbimit.

“Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale e Republikës së Shqipërisë, ka nderin të paraqesë edhe një herë konsideratën e saj më të lartë për Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës dhe të shprehë gatishmërinë e saj për çdo ndihmë e komunikim në ditët në vazhdim”, përfundon letra mbëshetëse e ministres Manastirlu dërguar ministrit Latifi.

Dy pajisjet që i ka Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) për kryerjen e rrezatimit kanë mbetur  jashtë përdorimit për shkak të shirave që kanë rënë ditë më parë, e që kanë depërtuar në vendin ku këto dy pajisje janë të montuara.

Sipas drejtorit të Klinikës Onkologjike në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, Ardian Millaku, ende nuk dihet nëse këto dy pajisje kanë dëmtime por që aktualisht janë jashtë funksionit dhe nuk dihet ende se kur do të kthehen në punë.

Shiu nxjerr jashtë funksionit dy pajisjet e rrezatimit në QKUK, pacientët mbesin pa trajtim