Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Renovimi i Onkologjisë, ShSKUK: Nga 15 janari kemioterapia do të zhvendoset përkohësisht në objektin e Mjekësisë Sportive
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka njoftuar se që nga e hëna, 15 janar, për shkak të renovimit të katit përdhesë të Klinikës së Onkologjisë, aty ku jepen shërbimet ambulantore të klinikës, pra hapësirat ku jepet kemioterapia, do të zhvendosen përkohësisht në objektin e Qendrës Kombëtare të Mjekësisë Sportive.
Objekti i Qendrës Kombëtare të Mjekësisë Sportive ndodhet në hapësirat e QKUK-së, hyrja nga lagjja e Veternikut.
“Shërbimi i Radioterapisë do të funksionojë normalisht në hapësirat e ekzistuese, kurse shërbimi 24-orësh, për të hospitalizuarit do të vazhdojë akoma në katin përdhesë të Ortopedisë së vjetër, aty ku ishte zhvendosur rreth 3 muaj më pare”- thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës tha se me renovimin e tërësishëm të Klinikës së Onkologjisë, investim i bërë nga Ministria e Shendetësisë dhe ShSKUK, do të krijohen kushte moderne për trajtim të pacientëve dhe për stafin që i ofron këto shërbime.