Klinika e Onkologjise/SHSKUK

Gjatë këtij viti u regjistruan 2 mijë raste të reja me kancer

Regjistri i rasteve të paraqitura me kancer në Klinikën e Onkologjisë ka kapur shifrën e 2,000 rasteve të reja për vitin 2023, që sipas Shërbimit Spitalor Klinik të Kosovës (SHSKUK), dëshmon për rritjen progresive të sëmundjeve malinje.

Për raportin vjetor të punës së kësaj klinike, SHSKUK bërë të ditur se në Repartin e kimioterapisë janë përgatitur dhe aplikuar rreth 100 mijë terapi sistemike, tabletare, subkutane dhe intravezikale.

SHSKUK më tej thekson se 50 mijë vizita onkologjike janë ofruar për pacientët, nga muaji janar i vitit 2023, deri më tani, në Klinikën e Onkologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Në repartin e Radioterapisë janë ofruar 31 mijë shërbime ku përfshihen trajtimi i pacientëve me radioterapi eksternale, realizimi i planeve të trajtimit me konturim, simulacione dhe pozicionimet e realizuara nga mjekët, fizikantët mjekësorë dhe teknikët e radioterapisë”- thuhet në njoftim

Në këtë klinikë po ashtu janë ofruar 2 mijë shërbime të Brakiterapisë, disa prej aplikimeve te brakiterapisë, janë realizuar në bashkëpunim me anesteziologët e Klinikës së Anesteziologjisë.

Kurse, Shërbimi i Fizikës Mjekësore ka realizuar rreth 11mijë shërbime përgjatë vitit 2023.

“Gjithashtu në klinikë janë realizuar rreth 600 seanca të trajtimit me fizioterapi dhe 600 shërbime psikologjike nga psikologët klinikë. Në klinikë kanë qenë të shtrirë, 820 pacientë”- thuhet më tej në njoftim.

Tutje, në njoftim potencohet se aktualisht, me investim nga Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me ShSKUK, po zbatohet projekti për rinovim të hapësirave të Klinikës së Onkologjisë.

Krahas kësaj, klinika këtë vit është furnizuar me aparaturën e dytë të rrezatimit, akseleratorin linear bashkëkohor i cili do të mundësojë dhe trajtimin me metodat më të avancuara të radioterapisë siç është radioterapia stereotaktike.