Sa është numri i pacientëve me kancer në Kosovë?
Dafina Ademi-Islami, mbikëqyrëse e citostatikëve për pacientë në Klinikën e Onkologjisë, në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur për çështjen e regjistrit të rasteve me kancer.
Ajo ka thënë se sa është real numri i pacientëve në këtë Klinikë është pikëpyetje, duke treguar se në Agjencinë e Statistikave të Kosovës thuhet se onkologjia e ka përmbyllur vitin 2022 në Klinikë me diku rreth 1 mijë e 700 raste të reja me kancer.
“Nëse e shohim rastet në ASK për vitin 2021, jo 2022, do të thotë një vit më herët janë 3 mijë e 270 raste, çka është kjo diskrepancë” – shprehet ajo.
Mirëpo, Ademi-Islamit gjatë fjalës së saj i ndërhyn gazetarja hulumtuese e Kohës Ditore, Saranda Ramaj, e cila pyeti të parën nëse i beson më shumë ASK-së apo Klinikës së Onkologjisë ku, sipas gazetares, përpunohen të dhënat, pasi ajo thotë se në Kosovë nuk ka qendër tjetër të Onkologjisë.
Ademi-Islami pas kësaj pyetjeje thotë se të dhënat e Onkologjisë janë të mangëta, por e njëjta pyetet prapë nga gazetarja Ramaj se qysh ASK i ka të dhënat më të sakta se të vetë Onkologjisë.
“I ka prej Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik që grumbullohen prej krejt institucioneve, krejt institucioneve edhe publike, edhe private” – përgjigjet Ademi-Islami, për t’u ballafaquar prapë me një pyetje tjetër të gazetares hulumtuese.
“Ku është burimi i Institutit, nuk ka njësite të onkologjisë në qendrat e tjera” – vazhdon tutje me pyetje Ramaj, përgjigje për të cilën merr nga Dafina Ademi-Islami, e cila thotë se Instituti i mbledh sëmundjet malinje, pasi mjekët e kanë për obligim ligjor t’i raportojnë sëmundjet malinje.
Tutje kjo e fundit thotë se Klinika ku ajo punon është regjistër spitalor dhe nuk është regjistër kombëtar.
Pas kësaj ajo pyetet nëse kjo lë të nënkuptohet që pacientët me kancer ikin të gjithë për shërbime jashtë vendit, diçka që mohohet nga ana e Ademi-Islamit.
“Nuk e besoj që gjithë ky numër i pacientëve shkon jashtë Kosovës, është mungesa e regjistrit të saktë të pacientëve” – thotë ajo duke shtuar se faji i mungesës së regjistrit është te vetë Onkologjia.
Madje ajo tregon se mungesa e regjistrit është sfidë e madhe, pasi sipas saj, kur nuk ka regjistër të mirëfilltë nuk mund të planifikohet as e ardhmja për rastet e sëmundjeve kanceroze.