Në Onkologji mungojnë shtretërit - pacientët me kancer detyrohet të presin

Numri i madh i pacientëve dhe numri i vogël i shtretërve ku mund të marrin kimioterapinë, bëjnë që korridoret e Klinikës Onkologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës të jenë të stërmbushura me pacientë.

Numri i pacientëve që marrin trajtime brenda ditës në Klinikën e Onkologjisë arrin deri në 180, por në mungesë të kapaciteteve në këtë klinikë ata detyrohen të presin gjatë për të marrin trajtimin e nevojshëm.

Vildane Goga- Çmega, shefe e shërbimit të kimioterapisë në Qendrën Klinike Universitare në një intervistë për Telegrafin ka thënë se brenda ditës klinikën e frekuentojnë deri në 180 pacientë.

“Brenda ditës klinikën e frekuentojnë nga 150 deri në 180 pacientë, duke i përllogaritur të dy repartet atë të kimioterapisë dhe të radioterapisë. Sa i përket marrjes së shërbimeve vetëm kimioterapeutike, brenda vitit regjistrohen diku 5 mijë cikle të pacientëve të ndryshëm”, ka thënë ajo.

Goga – Çmega theksoi se numri i pacientëve të prekur nga kanceri është në rritje krahasuar me vitet e kaluar. Ajo tha se të meshkujt dominon kanceri ai i mushkërive, kurse të femrat kanceri i gjirit.

“Kanceri i mushkërive prinë i pari, menjëherë pas tij është kanceri i gjiri te femrat. Ne kërkojmë vazhdimisht rikonstruktim të klinikës sepse ne e dimë që një shtrat për aplikim të kimioterapisë shfrytëzohet tri deri në pesë herë brenda ditës, kjo do të thotë që një pacient pret me radhë që të lirohet shtrati. Kjo ndodhë jo për  shkak të kapaciteteve njerëzore, por për shkak të kapaciteteve teknike të Onkologjisë”, tha ndër tjera ajo.

Gjatë intervistës, doktoresha theksoi se po ashtu hasin edhe vështirësi sa i përket barnave që kanë.

“Duke filluar prej kimioterapisë, radioterapisë, terapisë hormonale, të gjitha trajtimet kryhen në Onkologji. Por, sa i plotëson kushtet për secilin pacientë lista esenciale apo llojet e terapisë që posedojnë mbetet për tu dëshiruar, por gjithmonë me tendencë të përmirësimit të këtyre shërbimeve edhe të përmbushjes së nevojave esenciale. Konform buxhetit i cili është dhënë për Klinikën e Onkologjisë, planifikimi është bërë që në dhjetor të vitit të kaluar dhe konkretisht këtë muaj jemi më mirë të furnizuar sesa tre mujorin e parë. Presim që të përmbushen kërkesat të cilat klinika i ka bërë, qoftë në barnatoret qendrore, qoftë në Ministrinë e Shëndetësisë”, potencoi ajo.

Siç tha doktoresha, në përgjithësi kanceri prek moshat e shtyra, por që kanë edhe raste kur edhe të rinjtë janë të prekur nga këto sëmundje.

Goga bëri të ditur që këtë vit buxheti është më i lartë dhe presin të përmirësohet efikasiteti në Onkologji.

“Në listën esenciale janë aprovuar edhe disa ilaçe të reja për trajtimin e sëmundjeve onkologjike, edhe atë kryesisht të sëmundjeve të kancerit të gjirit. Buxheti është më i lartë  dhe do të përmirësojë dukshëm efikasitetin në onkologji, ndërkaq pritet në qershor rikonstruktimi i disa hapësirave në repartin e kimioterapisë”, ka deklaruar ajo.

Në fund të intervistës, doktoresha foli edhe për vaksinën kundër papilloma virusit (HPV), e cila mbron femrat nga sëmundja e kancerit të qafës së mitrës.

Ajo tha që këtë vaksinë mund ta marrin vajzat që ende nuk kanë filluar jetën seksuale.

“Secila vajzë që ka hyrë në moshën madhore deri tek periudha kur fillon jetën seksuale ka mundësi të aplikojnë këtë vaksinë”, theksoi ajo.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vaksinat HPV funksionojnë më mirë nëse administrohen përpara ekspozimit ndaj papilloma virusit.

Andaj, për të parandaluar kancerin e qafës së mitrës, OBSH-ja rekomandon vaksinimin e vajzave të moshës 9 deri në 14 vjeçe, kur, siç thuhet, shumica nuk e kanë filluar ende aktivitetin seksual./Telegrafi