Shiu nxjerr jashtë funksionit dy pajisjet e rrezatimit në QKUK, pacientët mbesin pa trajtim

Dy pajisjet që i ka Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) për kryerjen e rrezatimit janë jashtë përdorimit për shkak të shirave që kanë rënë javën e kaluar e që kanë depërtuar në vendin ku këto dy pajisje janë të montuara.

Sipas drejtorit të Klinikës Onkologjike në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, Ardian Millaku, ende nuk dihet nëse këto dy pajisje kanë dëmtime por që aktualisht janë jashtë funksionit dhe nuk dihet ende se kur do të kthehen në punë.

“Kjo ka ndodhur të premten e kaluar dhe ekipi teknike janë duke u marrë me pa nëse ka dëmtime në pajisje apo jo. Ne e kemi ndërprerë punën e terapisë dhe po presim informatën se a ka dëmtime apo jo. Tash varet prej ekipës teknike deri kur ata na tregojnë se a ka dëmtime apo jo. Janë dy pajisje që qëndrojnë afër njëra tjetrës dhe të dyja janë në vlerësim nëse kanë dëmtime”, ka thënë Millaku për KALLXO.com.

Mosfunksionimi i këtyre pajisjeve e ka privuar K.P. nga Prishtina për marrjen e shërbimit mjekësor. Familjarët e K.P., e prekur me kancer të zorrës së trashë (Kanceri kolorektal), gjatë ditës së djeshme e kanë kuptuar që kjo pajisje është jashtë funksionit dhe nuk dihet se kur do të rregulloret, por sipas tyre, mjekët u kanë thënë se pritet që të hyjë në funksion në muajin shtator ose tetor, pas rregullimit.

“Nana ka pas me u operu prej tumorit në zorrë të trashë konkretisht në pjesën e Rektumit .Kur kemi fol këtu opsionin e vetëm që na e kanë dhënë është që në rast operimi me mbet me ‘stome’ jashtë (d.m.th me qesk) edhe kemi fillu me u interesu për spitale jashtë vendit e kemi kry operimin me sukses në një klinikë private në Tiranë d.m.th ka mbet me zorrë normale. Këtu pas operimit kemi pas me ardh me bë terminin për me fillu me rrezatimin. Dje më than që u prish aparatura e rrezatimit, e ka marr uji e i duhet kohe goxha e gjatë me u rregullu, dikund deri në shtator eventualisht në tetor”, ka thënë E.P. për KALLXO.com.

E.P. shton se tashmë kanë filluar të shikojnë për mundësinë e trajtimit me rrezatim jashtë shtetit, por që çmimet jashtë shumë të larta dhe të papërballueshme.

“Kemi shikuar për trajtim në Tiranë, na kanë thënë se çmimi është diku rreth 5 mijë e deri në 7 mijë euro. Është shumë shtrenjtë për kushtet ekonomike në Kosovë”, ka shtuar E.P.