
Lista e re për barnat esenciale me 65 propozime të reja
Driton Vela, kryetar i komitetit kyç për revidimin e listës së produkteve mjekësore dhe materialit shpenzues, në emisionin “Kallxo Përnime”ka treguar se tashmë është një draft preliminar i listës së barnave, duke treguar se nga Onkologjia kanë marrë 19 propozime.
“65 propozime të reja i kemi futur në listë. Ne e kemi përfunduar listën, tash aprovimi varet nga procedurat e nevojshme” – ka thënë ai.
Vela ka treguar se buxheti i barnave të listës gati është dyfishuar.
“Është afër 60 milionë që është i ndarë në disa pjesë, që janë pjesa për SHSKUK-në, për kujdesin primar, sëmundjet e rralla edhe një grup tjetër i sëmundjeve që i konsideron prioritet vendi. Total është gati 60 prej 35 milionëve” – ka thënë ai.
Gjatë diskutimit është hapur edhe tema e regjistrimit të barnave të listës esenciale.
Gazetarja e shëndetësisë. Saranda Ramaj, ka thënë se barnat regjistrohen, kanë evidencë por mashtrohet me këto evidenca.
Ajo tutje ka folur edhe për barnatoren qendrore, për të cilën ka thënë se javën e kaluar e ka lëshuar një komunikatë ku kanë thënë që 98 për qind ka pasur në vitin 2022 furnizim me barna, 98.5 me material shpenzues.
Por ajo ka thënë se kësaj komunikate nuk i beson dhe i duket e pavërtetë.
“Duke qenë në QKUK çdo ditë e di që një statistikë e tillë është e pavërtetë edhe unë kam kërkuar të dhëna nga barnatorja qendrore dhe i kam shkruajtur edhe ministrit por nuk më ka kthy përgjigje, edhe sekretarit, edhe krejtve me na tregu qysh po nxirrni këtë sukses, formulën sepse nuk ka shans teorik” – është shprehur ajo.
E njëjta ka thënë se në bazë të përgjigjes që ka marrë nga barnatorja ka kuptuar që statistikat që janë dhënë nuk qëndrojnë.