Flamuri i NATO-s

Partia në pushtet në Suedi mbështet anëtarësimin në NATO

Subjekti politik në pushtet në Suedi, Partia Social-Demokrate, tha më 15 maj se mbështet anëtarësimin e vendit në NATO, duke hequr dorë kështu nga një politikë kundër bashkimit në aleanca ushtarake, dhe duke i hapur rrugën vendit që të aplikojë për anëtarësim në aleancën perëndimore.

Ky njoftim vjen teksa është rritur mbështetja publike dhe politike në Suedi për t’iu bashkuar aleancës ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Kjo çështje ka ndarë socialdemokratët e kryeministres suedeze, Magdalena Andersson, pasi disa anëtarë të partisë kanë shprehur shqetësimin se vendimi për aplikim për anëtarësim po merret me nxitim.

Partia Social-Demokrate tha të dielën se nëse aplikimi i Suedisë miratohet, ky shtet do të punonte që të shprehë “rezervat e njëanshme kundër vendosjes së armëve bërthamore në bazat e përhershme në territorin e Suedisë”.

Ky njoftim nga Suedia vjen disa orë pasi shteti fqinj, Finlanda, po ashtu zyrtarisht njoftoi se do të aplikojë për anëtarësim në NATO./REL