Mbrojtësi i të dëmtuarit gjyqtares: Mos t’ka marrë malli me vizitu Prokurorinë në një cilësi tjetër

Me tensione e mos pajtime të mëdha mes palëve ka nisur seanca ndaj të akuzuarit Faton Sylejmani, i cili nga Prokuroria e Gjilanit po akuzohet për legalizim të përmbajtjes së rreme dhe për mashtrim.

Tensionet e mos pajtimet e shfaqura në seancën e shqyrtimit gjyqësor filluan kur Prokurori kërkoi nga Gjykata që të akuzuarit t’i shqiptohet paraburgimi, me ndalim në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë. Propozimin e Prokurorit e përkrahu edhe mbrojtësi i të dëmtuarit, avokati Tomë Gashi.

Prokurori Shefik Memeti tha se në Prokurorinë e Gjilanit u ka shkuar një shkresë me të cilën janë njoftuar se për çfarë arsye nuk është zbatuar urdhëresa e Gjykatës lidhur me ndalimin e të akuzuarit në Institutin e Psikiatrisë Forenzike (IPF) në Prishtinë.

“Në bazë të kësaj i akuzuari nuk i është nënshtruar ekzaminimit pasi nuk ka pasur kërkesë për një gjë të tillë. Ekzaminimi mund të bëhet vetëm në mënyrë ambulantore sepse nuk ka kërkesë për paraburgim me ndalim në Institutin e Psikiatrisë në Prishtinë. Konsideroj se ekzaminimi duhet të bëhet me ndalim në Institut dhe për këtë arsye i propozoj Gjykatës qe të akuzuarit t’i caktohet masa e ndalimit në IPF”, tha Prokurori Memeti.

Kurse mbrojtësi i të dëmtuarit, avokati Tomë Gashi pasi e përkrahu propozimin e Prokurorit tha se beson që gjykata e din se Gjyqtarja e rastit i ka lëshuar dy urdhëresa për ekzaminim psikiatrik ndaj të akuzuarit dhe se asnjëra nga to nuk janë zbatuar.

“Urdhëresa për ekzaminim ka qenë shumë e qartë dhe nuk ka lënë kurrfarë mëdyshje se të ashtuquajturit ekspert të IPF-së, duhet ta zbatojnë në tërësi urdhëresën e Gjykatës dhe ekzaminimi të bëhet me ndalim. Edhe në seancën e datës 14 janar 2021, Gjykata ka nxjerrë edhe një urdhër të përsëritur për ekzaminimin e të akuzuarit me ndalim dhe në dy rastet përgjegjësit e IFP-së, nuk kanë vepruar sipas urdhëresave të Gjykatës“, tha avokati Gashi.

Tutje, pas shumë tensioneve dhe mos pajtimeve, Gjykatësja Luljeta Shabani, e refuzoj propozimin e Prokurorit për ndalimin e të akuzuarit në Institutin e Psikiatrisë në Prishtinë. Kurse avokati Tomë Gashi tha se loja e përgjegjësve të këtij Instituti duhet të ndërkrehet me një kallëzim penal ndaj tyre, duke e pyetur edhe gjyqtaren se “mos t’ka marrë malli me vizitu Prokurorinë në një cilësi tjetër“.

“Kërkojmë përjashtimin tuaj nga ky rast, për arsye se ndaj jush do të paraqes kallëzim penal në Prokurorinë e Gjilanit, do ta njoftoj edhe Kryeprokurorin e Shtetit Aleksander Lumezin për vepër penale të caktuar“, tha në fund avokati Gashi.

Kujtojmë se ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, pasi në gjykimin e parë i akuzuari ishte dënuar me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 20 muajve.

Sipas prokurorisë, i akuzuari Faton Sylejmani, më 7 prill 2015, në Gjilan, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, apo duke fshehur faktet, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e vë në lajthim të dëmtuarin Halil Shabani, duke e shtyrë atë të veprojë në dëm të pasurisë së tij.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari e mashtron të dëmtuarin duke ia shitur pronën e paluajtshme, e cila pronë nuk evidentohet fare në emrin e tij, por në emër të vëllait të tij, Ardian Sylejmani.

Tutje sipas aktakuzës, i akuzuari ka përpiluar kontratë për shitblerjen e asaj paluajtshmërie, në të cilën si çmim të shitjes e përcakton shumën prej 143,130.00 euro, dhe të njëjtën arrin ta vërtetojë tek noterja Lilijana Keniq, bazuar në autorizimin e falsifikuar, ndërsa në realitet vlera e kontraktuar me të akuzuarit dhe të dëmtuarit ka qenë 340,000.00 euro, për të cilën shumë edhe e dëmton të dëmtuarin.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, i akuzuari Sylejmani më 7 prill 2015, në fshatin Stanishor të Novobërdës, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ka vërtetuar kontratën mbi shitblerjen e paluajtshmërisë, ashtu që fillimisht ka falsifikuar autorizimin sipas të cilit kinse i njëjti është autorizuar nga vëllai i tij Ardiani, që në emër të tij dhe në llogari të tij para noterit, në cilësi të shitësit, mund të nënshkruajë kontratë për shitblerjen e paluajtshmërisë për tokën e tij në Budrigë të Poshtme e Partesh, për të cilën përpilon kontratë me blerësin Halil Shabani dhe në këtë mënyrë e vë në lajthitje noteren, Liljana Keniq, për të vërtetuar çështje të pavërtetë.

Seanca e sotme u shty për kohë të pa caktuar, deri sa të vendoset për përjashtimin apo jo të Gjyqtares së rastit.