Foto: Ilustrim

Paralajmërohen gastronomët: Për zhurmën, gjobë deri në 1,000 euro

Nga 500 deri në 1,000 euro do të gjobiten pronarët e lokaleve gastronomike, nëse do bëjnë zhurmë e do e ngrisin volumin e muzikës në nivel të lartë. Ky është një njoftim që ata kanë marrë sot, gjatë inspektimit që u është bërë bar-restauranteve të tyre nga Policia e Kosovës dhe inspektorët e Ministrisë së Ambientit dhe ata komunal. Aksioni i sotëm është vetëm paralajmërim, kanë thënë zyrtarët, ndërsa nga dita e nesërme nëse do ketë shkelje sa i përket volumit të zhurmës, gjobat do të jenë të larta, kanë paralajmëruar ata.

Policia në bashkëpunim me inspekcionin e Ministrisë së Ambientit dhe ata komunal kanë vijuar aksionin nëpër ambientet gastronimike të Prishtinës, për të paralajmëruar menaxherët e këtyre lokaleve se nuk do tolerohet zhurma.

Aksioni i filluar në orët e para të mbrëmjes, ka nisur në lokacionin e njohur ‘te kafet e vogla’, duke vijuar edhe në pika tjera të qytetit ku ka frekuentim më të madh të qytetarëve.

Ky inspektim, është bërë pas shumë ankesave të qytetarëve prishtinas, për zhurmën e madhe që shpesh shkaktojnë lokalet gastronomike në kryeqytet. Aksioni, është paralajmëruar gjithashtu, se nuk do jetë I koncentruar vetëm në Prishtinë, porse rregullat anti-zhurmë do të vlejnë e zbatohen nëpër të gjitha qytetet e Kosovës.