Gerald Knaus. Foto: ESI

Paralajmërimi i Knaus-it: Nëse Gjermania, Franca dhe BE-ja nuk zgjohen, do të ketë luftëra të reja në Ballkan

Gerald Knaus nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet ka reaguar pasi Lista Serbe tha se nuk do të marrë pjesë në votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, i cili është caktuar për 21.04.2024.

Knaus ka renditur në rrjetin social “X” disa fakte duke thënë se strategjia aktuale e dialogut të BE-së për Serbinë dhe Kosovën ka dështuar.

Sipas Knaus, kriza filloi kur kryetarët e komunave nga Lista Serbe në veri të Kosovës dhanë dorëheqjen në fund të vitit 2022.

“Duket si një krizë e cila filloi kur kryetarët e komunave nga Lista Serbe në veri të Kosovës dhanë dorëheqjen në fund të vitit 2022, pikërisht në momentin kur Gjermania dhe Franca kërkuan pranimin e propozimit të tyre për “njohjen de facto” nga Beogradi … kriza u thellua kur Lista Serbe bojkotoi zgjedhjet e reja në vitin 2023, duke synuar krijimin e një vakumi ligjor në veri të Kosovës pa autoritetet lokale ligjore … Kjo nxiti dhunën më të keqe në një kohë të gjatë në rajon, dhe kjo do të vazhdojë dhe nuk mund të befasojë askënd” – ka shkruar Knaus.

Akterët kryesorë në rajon, sipas tij, presin dhunë të re dhe përgatiten për të. Në këtë kontekst ai ka shtuar se nëse Gjermania, Franca dhe Bashkimi Evropian nuk zgjohen, atëherë do të ketë luftëra të reja.

“Një arsye e dukshme për kolapsin e levave të BE-së është rënia e çdo politike të besueshme të pranimit në BE për cilindo në rajon. E gjithë kjo bën që ky të jetë momenti më i rrezikshëm në Ballkan që nga viti 2001. Shumë, në të gjithë BE-në, ende nuk e shohin ose pretendojnë se nuk e shohin këtë. (Dhe nuk do të trajtohet duke premtuar pak më shumë para si ‘plani i rritjes’). Në vend të kësaj, lojtarët kryesorë në rajon presin dhunë të re dhe përgatiten për të. Nëse Gjermania, Franca dhe Bashkimi Evropian nuk zgjohen, do të ketë luftëra të reja. Dhe një dështim vërtet katastrofik i BE-së” – ka shkruar Knaus mes tjerash më 08.04.2024

 

Lista Serbe ka njoftuar më 07.04.2024 se nuk do të marrë pjesë në një votim për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, i cili është caktuar për 21.04.2024.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës vendosi që votimi të mbahet më 21.04.2024, pasi i verifikoi nënshkrimet e qytetarëve në peticionet për shkarkimin e kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Nënshkrimet u mblodhën në mesin e muajit janar në përputhje me një udhëzim administrativ të nxjerrë nga Qeveria e Kosovës, me qëllim që t’i hapte rrugën shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme në komunat e veriut, për shkak se popullata vendase serbe nuk ka pranuar kryetarët shqiptarë.

Kryetarët shqiptarë u zgjodhën në prill të vitit 2023 në zgjedhjet të cilat u bojkotuan nga serbët në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.

Bashkësia ndërkombëtare kishte kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.