Paralajmërimet për qeverinë e re, LDK në pritje të lëvizjes së Thaçit

Kryetari i Lidhjes Demokratike Isa Mustafa ka deklaruar se ende nuk kanë marr ftesë nga presidenti Hashim Thaçi, lidhur me mandatarin për formimin e qeverisë së re të vendit.

“Akoma s’kemi ftesë, kur të  thërrasin do t’i përgjigjemi dhe do të shohim çfarë thotë presidenti”, tha Mustafa pranë selisë së partisë së tij sot në Prishtinë.

Presidenti Thaçi fundjavën e kaluar bëri të ditur se gjatë kësaj jave do të ndërmarrë hapa konkret për formimin e qeverisë së re, me mandate legjitim nga Kuvendit, kjo pasi Lëvizja Vetëvendosje ende nuk i ka dërguar ndonjë emër të mandatarit për qeverinë e re.

Qeveria Kurti ishte rrëzuar përmes një mocioni të mosbesimit me 25 mars të këtij viti.

Në anën tjetër, LDK-ja është  shprehur e gatshme të formojë një qeveri bashkë me AAK-në Nisman dhe AKR-në.

Kurse, Lëvizja Vetëvendosje po kërkon që të mbahen zgjedhjet e reja, pas pandemisë.

Sa i përket paralajmërimeve të presidentit Thaçi për t’i dhënë mandate LDK-së, LVV-ja ka thënë se për këtë gjë do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë, presidenti i vendit, Hashim Thaçi edhe sot ka vazhduar trajtimin shëndetësor në Klinikën Urologjike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Kështu është e ditur në komunikatën për media, në të cilën thuhet se gjendja e Presidentit është stabile.

“Presidenti Thaçi po vazhdon t’i përmbahet terapisë së rekomanduar dhe është në gjendje stabile shëndetësore. Presidenti Thaçi shpreh sërish mirënjohjen e tij për stafin e QKUK-së dhe Klinikës Urologjike për trajtimin profesional dhe kujdesin e treguar”, thuhet në njoftim.