"Parada e Krenarisë" pa të parët e shtetit
Në “Paradën e Krenarisë” të mbajtur sot në Prishtinë janë parë pjesëmarrës të shumtë nga sfera të ndryshme.
Figura publike, politikanë, ambasadorë e aktivistë të shumtë, por në mesin e tyre nuk kanë qenë e para e shtetit, Vjosa Osmani. as shefi i Qeverisë. Albin Kurti.
Të dy udhëheqësit në kohën sa është mbajtur “Parada e Krenarisë” kanë qenë pjesëmarrës në aktivitete të tjera.
“Parada e Krenarisë” ka nisur nga ora 11:00, ndërsa marshimi nga sheshi “Skënderbeu” nisi nga ora 12:00.
Në njoftimin e Presidencës ishte bërë e ditur se Osmani nga ora 10:00 do të merrte pjesë në një takim me komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
Planet strategjike dhe kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë qenë disa nga temat që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka diskutuar në takimin e mbajtur me komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant, Bashkim Jashari.
Osmani e cila sot qëndroi në Ministrinë e Mbrojtjes si dhe në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, tregoi detaje nga takimi me Jasharin.
“Në detaje diskutuam të gjitha çështjet që kanë të bëjnë më mbrojtjen e Republikës së Kosovës. Prandaj edhe në dritë të zhvillimeve të fundit në Evropë, kemi diskutuar zhvillimet në rajon të gjitha kapacitet e FSK-së, të gjitha planet strategjike dhe dokumentet strategjike në të cilat po punohet si dhe për dinamikën e shtuar në bazë të së cilës FSK-ja është duke punuar që nga emërimi i komandantit të ri”, tha ajo.
Në anën tjetër, kryeministri Kurti, nga ora 12:00 në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës ka marrë pjesë në lansimin e shërbimeve të reja elektronike në portalin e-Kosova.
Sipas komunikatës për media të Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka thënë se digjitalizimi i shërbimeve krijon lehtësira për qytetarët e veçanërisht për mërgatën.
“Këto shifra tregojnë se portali e-Kosova si dritare qendrore për ofrimin e shërbimeve qeveritare është duke u pranuar mirë nga qytetarët tanë. Ne do të vazhdojmë me digjitalizimin e shërbimeve që ka për synim lehtësimin e jetës së tyre. Shërbimet elektronike janë veçanërisht të rëndësishme për mërgatën tonë, ajo ka nevojë për mundësinë e qasjes në shërbime qeveritare edhe nga largësia”, citohet të ketë thënë Kurti.