Paraburgim ndaj të dyshuarve për plagosjen në Pejë

Nga një muaj paraburgim i është caktuar të pandehurve V.K dhe A.U, lidhur me incidentin e ditës së martë në qytetin e Pejës

Të pandehurit V.K i është caktuar paraburgimi nën dyshimin se ka dashur ta vrasë  A.U dhe me këtë rast ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit tjetër dhe të kalimtarëve të tjerë që ishin në rrugë.

Prokuroria ka përshkruar se për shkak të problemeve të mëparshme që kanë pasur, ditën kritike i pandehuri së bashku me të dyshuarin L.K, me veturën e tyre kanë shkuar për t’u takuar me të dëmtuarin i cili ishte duke e drejtuar veturën.

Këtu, sipas prokurorisë, i pandehuri me të shpejtë del nga vetura e tij dhe shtin tri herë në drejtim të dëmtuarit mirëpo nuk ka pasur mundësi ta godasë dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

Githashtu, të pandehurit A.U  i është caktuar paraburgim nën dyshimin se  ka tentuar ta vrasë K.K.

Sipas dosjes së prokurorisë, në atë mënyrë që të njëjtën ditë ka qenë i sulmuar me armë nga i pandehuri V.K i cili së bashku me të dyshuarin tjetër janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe rrugës kanë vërejtur të dëmtuarin K.K, i cili është i afërm i të pandehurit V.K, me të vërejtur të dëmtuarin.

I pandehuri ka shtënë një herë në drejtim të viktimës K.K duke e plagosur në këmbën e majtë, i pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes ndërsa viktima është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë.

I pandehuri V.K dyshohet për vepër penale vrasje e rëndë në tentative, kurse i pandehuri A.U për vrasje në tentativë.

KALLXO.com ka raportuar lidhur me këtë incident.

Plagosje në Pejë