Pamje nga Lezha pas tërmetit në Shqipëri

Nga tërmeti i sotëm në Shqipëri është prekur edhe qyteti i Lezhës.

KALLXO.com ka siguruar pamje të disa ndërtesave që janë dëmtuar si pasojë e këtij tërmeti, që la pasoja edhe me njerëz.

 

Ndërsa, kryetari i bashkisë së Lezhës Pjerin Ndreu tha se në këtë qytet nuk ka pasur asnjë viktimë, ka pasur rreth 20 të lënduar dhe sipas tij dëmet më të mëdha janë në ndërtesa.

“Janë dëmtuar ndërtesa por fatmirësisht nuk kemi dëme një njerëz, por shumë objekte shtetërore dhe private janë dëmtuar, Pallati i Kulturës, Bibloteka, janë dëmtuar zyrat e drejtorisë së Bujqësisë, ka dëmtime të disa banesave po marrim informacion ku grupet e punës kanë dalur në teren bashkë të identifikuar çdo rast dhe për të marrë masat e nevojshme”, ka thënë ai.

Ndreu tha se 20 persona kanë janë dërguar në spitalin e këtij qyteti dhe se ende ka panik tek qytetarët.

“Panik ka. Ne jemi të gatshëm që nga orët e para të mëngjesit me njëherë kemi qenë në krye të detyrës dhe ajo ka qenë gatishmëria jonë që të ndërhyjmë që ka kosto në njerëz dhe s’ka dëmtime të këtij lloji, ka pas rreth 20 vetë kanë shkuar në spital, shumica janë të dëmtuar lehtë, disa janë në panik por nuk kemi raste ekstreme dhe kemi qenë gati në çdo rast”, ka shtuar kryetari i bashkësisë së Lezhës.

Ai shtoi se për momentin janë dukë bërë verifikimin e dëmtimeve materiale dhe në fund të ditës të dalin me një raport.

Tërmet më i fuqishëm në Shqipëri ishte ai i orës 03:55 të mëngjesit, me magnitudë 6.4 ballë, që rrëzoi pallate e shënoi dëme të shumta, duke lënë fatkeqësisht 13 viktima.

Nga ky tërmet është prekur qyteti i Durrësit, Thumana dhe Kurbini. Epiqendra e tërmetit ishte 10 kilometra nga Durrësi dhe 31 kilometra nga Tirana.