Palmer uron Vjosa Osmanin për rezultatin në zgjedhje, flasin për qeverinë e re dhe prioritetet e saj

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur sot takim virtual me Zëvendësndihmës Sekretarin në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, Matthew Palmer.

Siç thuhet në komunikatën e Presidencës, Palmer i përcolli urimet Osmanit për rezultatin në zgjedhjet parlamentare  të mbajtura më 14 shkurt duke potencuar rëndësinë e themelimit të institucioneve të reja.

Ndërkaq, Osmani theksoi që fokusi aktual është pikërisht themelimi i institucioneve pa vonesa në mënyrë që të evitohen krizat institucionale e kushtetuese dhe të kemi institucione të cilat reflektojnë vullnetin e qartë qytetar.

“U.d. Presidentja potencoi se qytetarët e Kosovës kanë votuar koalicionin fitues duke u bazuar në prioritetet e përcaktuara që fokusohen në luftimin e krimit e korrupsionit dhe krijimin e vendeve të punës e perspektivës për të rinjtë. Ajo shtoi se për shkak të pandemisë, sigurimi i vaksinave të mjaftueshme për qytetarët dhe menaxhimi i pandemisë e ringritja ekonomike duhet të jenë prioritete të institucioneve të reja. Përderisa z. Palmer u dakordua me znj. Osmani që institucionet e reja duhet të fokusohen në luftimin e korrupsionit, në adresimin e pandemisë, në ringritjen ekonomike dhe në krijimin e vendeve të punës, ai njëkohësisht theksoi rëndësinë e angazhimit aktiv në dialog, ngaqë kjo do të dëshmojë përkushtimin e Kosovës për të kontribuar në stabilitet, paqe dhe progres brenda vendit si dhe në rajon”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Sa i përket dialogut Kosovë – Serbi, u.d. presidentja tha se në Kosovë është mirëpritur jashtëzakonisht shumë qasja e qartë e presidentit Biden se dialogu duhet të përqëndrohet në njohjen reciproke, ndërkaq shtoi se institucionet e Kosovës duhet të flasin me një zë.

Nga ana tjetër, Palmer konfirmoi që në procesin e dialogut, ShBA do të jetë e përfshirë si partner dhe duke i koordinuar qëndrimet me Bashkimin Evropian. Gjersa, theksoi që Shtetet e Bashkuara mbetenaleat i përhershëm i popullit të Kosovës.

Tutje thuhet Osmani falënderoi Palmer për ndihmën financiare të ofruar nga ShBA, sidomos në iniciativën COVAX, nëpërmjet së cilës pritet që Kosova të sigurojë pjesën e parë të vaksinave.