Pajisja SPECT/CT/PET në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Foto: Presidenca e Kosovës

Pajisja 1.5 milionëshe në Mjekësinë Nukleare pritet të lëshohet në funksion më 25 qershor

Nga 25 qershori pritet të fillojë përdorimi i aparaturës 1.5 milionëshe për të diagnostikuar shumë sëmundje, përfshirë kancerin, epilepsinë, demencën, alzheimerin e të tjera.

SPECT/CT/PET ka mbërritur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në shkurt dhe ishte përuruar më 26.04.2024, por pjesa e PET s’është përdorur ende.

“Për herë të parë në sektorin publik do të fillojmë përdorimin e tij më 25 qershor. Kemi lidh kontratën me operatorin ekonomik javën e kaluar. Është bërë porosia e materialit shpenzues” – tha Drejtori i Shërbimit Klinik Nuklear, Fakir Spahiu për KALLXO.com.

Spahiu pati thënë se gjithçka do të jetë gati në fund të majit 2024, e ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i kishte thënë që “t’ia shtojë edhe një javë a dy.”

Kontrata për material shpenzues është lidhur në vlerë rreth 190 mijë euro për 12 muaj.

Spahiu tregoi se kanë marrë edhe licencën për objektin ku është vendosur pajisja nga Agjencia e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore, për afat 5 vjeçar.

Para ardhjes së pajisjes, ky objekt u rinovua për të plotësuar standardet ndërkombëtare.

“Përfaqësuesit e operatorit ekonomik dhe të prodhuesit do të jenë me ne kur të fillojmë punën në vazhdimin e trajnimit të stafit me përdorimin e PET CT-së. Do t’i kemi çdo javë nga 5 pacientë deri në shtator, pastaj do ta bëjmë një plan të ri se si do të vazhdojmë tutje. Do të fillojmë çdo të mërkure, pasi që edhe është sezoni i verës edhe operatori ekonomik është njoftu nga prodhuesi se nuk do të ketë shumë prodhim” – tha Spahiu.

Stafi mjekësor ka kryer trajnime për përdorimin e pajisjes, por sipas Spahiut, trajnimet do të vazhdojnë. Kapacitetet e tyre do të ngritën edhe me ardhjen e dy specializantëve dhe teknikëve të rinj.

Për të bërë incizime në këtë pajisje, pacientët duhet të kenë udhëzim nga mjeku specialist. Drejtori tha se kanë kërkuar formimin e një komisioni që vlerëson se kush do të kërkojë incizim të tillë.

“… sepse ajo bëhet në rastet kur nuk kemi diagnostikim me metoda të tjera diagnostike, ose nganjëherë shkojmë direkt me PET CT. Do të kërkojmë nga specialisti që e kërkon ta arsyetojë pse e ka kërku që ne të jemi të gatshëm t’ia ofrojmë atë shërbim” – thotë ai.

Anëtarët e komisionit nuk janë vendosur ende, por ai thotë se do të përbëhen nga Mjekësia Nukleare, Klinika e Onkologjisë dhe ajo e Radiologjisë.

Të gjitha klinikat janë njoftuar përmes e-mailit se nga 25 qershori do të fillojnë diagnostikimet me këtë aparaturë moderne, siç thotë Spahiu.

Kjo pajisje është donacion i shoqatës “Alwaleed Philanthropies” nga Arabia Saudite përmes organizatës Jahjaga Foundation, e ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Në përurimin e saj, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se 300 deri në 400 pacientë që kanë pasur nevojë për shërbime nga kjo pajisje, gjatë vitit të kaluar i kanë marrë ato jashtë vendit apo në sektorin privat përmes trajtimit jashtë institucioneve shëndetësore publike në kuadër të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

PET SCAN u promovua si pajisje e sofistikuar, e vetmja e tillë në rajonin e Ballkanit që jep shpresë për zbulim të hershëm e trajtim adekuat.