QKUK

Pacientët me kancer presin tash e 10 ditë për një rrezatim në QKUK

Pacientët e prekur me kancer, por edhe të tjerë që kanë nevojë për rrezatim, nuk po mund ta kryejnë këtë shërbime në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Kjo gjendje është duke vazhduar në QKUK, që të paktën 10 ditë. Aparatura që kryen rrezatimin është jashtë funksionit.

S.H. prind nga Prishtina e ka fëmijën me kancer. Në një intervistë për KALLXO.com tha se stafi mjekësor në Onkologji i kanë thënë se aparatura është jashtë funksionit, por nuk kanë dhënë shumë detaje.

“Fëmija im është i prekur me kancer, është trajtuar në Prishtinë me kimoioterapi tash ka rrezatim, me të 10-in ka filluar terapia e parë, me 20-tin është ndërpre. Sipas, stafit nëpër korridore, se nëpër zyre nuk të pranojnë, thonë bisedo me drejtorin, drejtor Iliri thotë, rregullohet aparati, s’ka problem, edhe pse një ditë, dy nuk prishë punë vonesa”, deklaroi prindi që ka fëmijën me kancer.

“Prej datës 20 gusht (është duke pritë për rrezatim), sot unë kam qenë me të nëpër korridor edhe thënë është i prishur (aparati), thoshin stafi mjekësor, motrat”, ka deklarua tutje prindi.

Ky prind ka pyetur sesa është e rrezikshme ndërprerja e rrezatimit për pacientët me kancer.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Ilir Kurtishi, drejtori i Klinikës së Onkologjisë në QKUK tha këto ditë  pritët të rregullohet aparatura që bën rrezatimin. Ai nuk ka dhënë shumë detaje rreth prishjes dhe nëse në atë aparat punon vetëm një person apo edhe të tjerë.

“Në shërbimin e Radioterapisë, 70 pacientë janë duke u trajtuar në rrezatim Adjuvant dhe Paliativ, në njërin aparat ndërsa rreth 25 pacientë kanë një ndërprerje të përkohshme prej disa dite të rrezatimit, si rezultat i një problemi teknik në aparatin tjetër, problem ky që këto ditë rregullohet”, tha ai.

“Përndryshe deri sot në shërbimin e Radioterapisë janë mjeku mbi 700 persona dhe janë kryer mbi 25, 000 shërbime të këtij departamenti, dhe ne përgjithësi Klinika e Onkologjisë gjatë vitit 2021 ka ofruar mbi 200,000 shërbime”, deklaroi Ilir Kurtishi.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në adresë të Ministrisë së Shëndetësisë, për të pyetur nëse janë të njoftuar për problemet me aparatura në Radiologji, por ata kanë sugjeruar që së pari të i drejtohemi Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.