Pacientët me kancer përballen me mungesë të ilaçit  ‘Avastin Bevacizumab’

Pacientët me kancer që marrin trajtim në Klinikën e Onkologjisë së QKUK-së, po përballen me mungesë të medikamentit “Avastin Bevacizumab”, i cili është në listën e barnave esenciale që përdoren për trajtimin e sëmundjes.

Familjarë të pacientëve kanë raportuar në KALLXO.com se tash e disa javë trajtimi mjekësor nuk është duke shkuar sipas planit të paraparë terapeutik.

Medikamenti “Avastin Bevacizumab”, përdoret për  kancerin e zorrës së trashë, mushkërive dhe disa lloje të tjera të kësaj sëmundje.

Ditë më parë, për mungesën e barnave esenciale në këtë klinikë, ka folur Ushtruesi i detyrës së Klinikës së Onkologjisë, Arben Bislimi, në një intervistë për KALLXO.com.

Bislimi kishte theksuar se mungesa e medikamenteve, vjen si pasojë e procedurave të prokurimit publik që bllokohen herë pas here në Organin  Shqyrtes të Prokurimit (OSHP).

“Janë disa ilaçe që e tejkalojnë planfikimin tre mujor të përdorimit pasi ne në mungesë të një medikamenti detyrohemi ta marrim medikamentin tjetër si modalitet me trajtu pacientin dhe tash deri sa ky mungon këtë tjetrin e përdorim më tepër dhe tash na shkaktohet tejkalim i planfikimit edhe për tjetrin ilaç, ne planfikimin e bëjmë sakt por për shkak të modifikimeve (zëvendësimeve) që i bajmë në klinikë për me i përmbush protokolet e trajtimit kemi herë pas here ngecje të tilla”- ka thënë ai.

Ushtruesi i detyrës së Klinikës së Onkologjisë, Arben Bislimi, kishte bërë të ditur se kjo klinikë ka vetëm 20 mjekë që kujdesen për pacientët e diagnostikuar me kancer.

KALLXO.com ka raportuar javën e kaluar edhe për medikamentin ‘Pemprolizumab’ ku pati reagime nga qytetarët për mungesën e këtij ilaçi.

Sipas drejtorit Bislimi, ky ilaç ka shkruar në klinikë në sasi të vogël dhe ka mjaftuar vetëm për pesë pacientë.

Përveç mungesës së barnave, në fillim të muajit korrik, pacientët me kancer patën mbetur pa dy pajisje të rrezatimit, pasi vërshimet nga shiu i kishin dëmtuar mjetet në Klinikën e Onkologjisë.

Në Kosovë në vitin 2021 u diagnostikuan me kancer në Klinikën e Onkologjisë afër 1 mijë e 700 pacientë të rinj.