Arben Bislimi, Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Klinikës së Onkologjisë | Foto: KALLXO.com

VIDEO - Drejtori i Onkologjisë: Vetëm pesë infermierë kujdesen për 250 pacientë që marrin shërbime ditore

Ushtruesi i detyrës së Klinikës së Onkologjisë, Arben Bislimi, në një intervistë për KALLXO.com ka folur rreth mungesës së stafit që po përballet kjo klinikë.

Sipas Bislimit, kjo klinikë ka 20 mjekë që kujdesen për pacientët e diagnostikuar me kancer të ndarë në dy pjesë.

“Kjo është ana e errët e menaxhimit të klinikës. Kemi mungesë të jashtëzakonshme të stafit, është një deficit i jashtëzakonshëm sidomos e stafit infermieror. Në total jemi 20 mjekë që jemi të ndarë, 13 në shërbimin e kimioterapisë, kurse 7 në atë të rrezeve”, tha Bislimi për KALLXO.com.

Sipas Bislimit, kjo klinikë po qëndron shumë keq me stafin infermierorë ku mesatarisht për 250 pacientë që marrin shërbime ditore brenda klinikës, kujdesen vetëm 5 infermierë.

“Sa i përket stafit infermieror jemi shumë keq. Vetëm pesë infermierë kujdesen për 250 pacientë që marrin kimio në baza ditore, që i bie 60 pacientë për 1 infermier. Ndonjëherë vetëm një infermier e menaxhon vetëm komplet sallën e kimios me 50-60 pacientë. Është lodhje e jashtëzakonshme dhe mund të diskutohet edhe kualiteti i punës sepse si mund të ketë kualitet të mirë kur kemi një situatë të tillë”, ka shtuar më tej ai.

Gjatë intervistës, Bislimi ka folur edhe për gjendjen me furnizim me barna në këtë klinikë ku trajtohen pacientët e diagnostikuar me kancer.

Sipas Bislimit, furnizimi me barna në këtë klinikë nuk është shumë keq, por vazhdimisht ka ndonjë mungesë të ndonjë ilaçi të caktuar ku më të shpeshta janë mungesat e citostatikëve.