Arben Bislimi, Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Klinikës së Onkologjisë | Foto: KALLXO.com

Drejtori i Onkologjisë tregon arsyet e mungesës së ilaçit 'Pemprolizumab'

Ushtruesi i detyrës së Klinikës së Onkologjisë, Arben Bislimi, në një intervistë për KALLXO.com ka folur në lidhje me gjendjen me furnizim me barna në këtë klinikë ku trajtohen pacientët e diagnostikuar me kancer.

Sipas Bislimit, furnizimi me barna në këtë klinikë nuk është shumë keq, por vazhdimisht ka ndonjë mungesë të ndonjë ilaçi të caktuar ku më të shpeshta janë mungesat e citostatikëve.

Bislimi foli edhe për rastin e mungesës së ilaçit Pemprolizumab, për të cilin pati reagime në mediat sociale.

M.B, një qytetare ka reaguar në Facebook duke thënë se personeli mjekësor po detyrohet të zgjedhë kush mund të jetojë e kush jo duke treguar kështu se nuk kishte arritur të marrë në Klinikën e Onkologjisë ilaçin Pemprolizumab për familjarin e saj.

“Në kushte lufte apo emergjence të natyrave ekstreme mjekësore personeli mjekësor është i detyruar të bëj punën e Zotit të selektojë kush mund të jetojë e kush jo. Personeli mjekësor këtë formë të triazhimit e veprimit legjitim e mëson në lëndën Kirurgji Luftarake”, ka shkruar qytetarja në Facebook.

Sipas Bislimit, ky ilaç ka ardhur në klinikë në sasi të vogël dhe ka mjaftuar vetëm për pesë pacientë.

“Mungesat janë të herë pas hershme. Sa i përket citostatikëve, nuk jemi keq me furnizim, gjithnjë duke u thirr në listën esenciale me ato bazike që ne i trajtojmë pacientët. Kurse ankesa ka qenë në fakt për një preparat që është imuno-terapi “Pemprolizumab” për shkak se ka ardhur një sasi e vogël e vetëm 10 ampulave e që në fakt mjaftojnë vetëm për pesë pacientë sepse një ampulë i ka 100 mg dhe doza për një pacient është 200 mg për tre javë dhe kanë mjaftuar vetëm për pesë pacient”, tha Bislimi.

Arsyeja se pse me këtë ilaç nuk u furnizuan ata që kanë nevojë, sipas drejtorit të klinikës, është sepse ky ilaç është i aprovuar vetëm për kancer të melanomas ndërsa mjekët e përdorin edhe për lloje të tjera të kancereve.

“Arsyeja se pse ka ardh deri te pamundësia e marrjes së atyre që kanë qenë në listë dhe kanë nevojë është sepse ky medikament është aprovuar si medikament i listës së barnave për melanoma. Derisa një medikament i tillë përdoret për shumë patologji dhe është i aprovuar vetëm për një është e logjikshme që sasia të jetë e pamjaftueshme për pacientët”, ka treguar Bislimi.

Në Kosovë në vitin 2021 u diagnostikuan me kancer në Klinikën e Onkologjisë afër 1 mijë e 700 pacientë të rinj.