Osmani udhëton për në Bruksel, do të marrë pjesë në samitin e liderëve të Bashkimit Evropian

Presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Bruksel ku do të përfaqësojë Kosovën në samitin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Sipas njoftimit, Osmani do të diskutojë nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit në dritë të sfidave të vazhdueshme të sigurisë në rajon dhe më gjerë, duke filluar me mbështetjen për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës.

“Liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel ndër të tjera do të diskutojnë për procesin e zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bashkërendimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe tejkalimin e sfidave të përbashkëta”- ka njoftuar Presidenca e Kosovës.

Në njoftim thuhet se Osmani poashtu do t’i informojë krerët e shteteve dhe të BE-së lidhur me situatën e sigurisë në vend, pas sulmit të agresionit të Serbisë më 24 shtator.