Osmani: Situata në veri eskalon për shkak të bandave kriminale të përkrahura nga Vuçiqi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se situata në veri të Kosovës eskalon për shkak të bandave kriminale që përkrahen politikisht e financiarisht nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Ajo ka thënë se këto banda kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe Ballkanit.

“Për fat të keq, sikurse në rastet paraprake, situata në Veri eskalon për një arsye të vetme sepse bandat kriminale në veri, të përkrahura nga Vuçiq politikisht e financiarisht, kanë për qëllim eskalimin e situatës, kanë për qëllim destabilizmin e tërë Kosovës dhe rrjedhimisht, kanë për qëllim të destabilizojnë Ballkanin Perëndimor dhe të realizojnë kështu agjendat ruso-serbe”- ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se po pret raportin përfundimtar për atë se çfarë ka ndodhur deri më tash dhe veprimet që do të merren tutje.

“Duhet te bëjmë çmos që nëpërmjet institucioneve të sigurisë të vendosim rend dhe ligj në çdo cep të vendit tonë. Në fund të kësaj dite po e presim edhe raportin përfundimtar, gjatë ditës kemi marrë vazhdimisht raporte të shkurtra nga institucionet e sigurisë. Në fund të ditës po presim raportin përfundimtar, jo vetëm rreth asaj që ka ngjarë por mbi të gjitha veprimet që do të ndërmerren tash e tutje për të eliminuar situata të tilla” – ka thënë ajo.

Osmani po qëndron në Tiranë në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Sirena dhe shpërthime janë dëgjuar disa herë gjatë pasdites së sotme në Mitrovicë të Veriut.

Sipas Policisë, në orët e para të pasdites, në disa zona të Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut janë regjistruar disa incidente dhe dyshohet për shkrepje armësh e shpërthime.

Policia ka njoftuar se deri më tani nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, ndërsa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor.

“Me kërkesë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), sot më datë 6 dhjetor 2022, në komunat Zubin Potok dhe Mitrovicë Veri, Njësitë policore të rendit publik kanë shoqëruar zyrtarët e Komisionit Komunal Zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, me qellim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore”- thuhet tutje në njoftim.

KALLXO.com mëson se KQZ ka kërkuar tash e disa ditë që gjatë kësaj kohe kur pritej të vendoseshin zyrtarët e lartë komunalë që janë përzgjedhur për të zëvendësuar ata të dorëhequrit, të kenë edhe mbështetjen e Policisë së Kosovës.

Tutje siç mëson KALLXO.com në momentet kur është tentuar zëvendësimi i zyrtarëve të lartë, është lëshuar alarmi në pjesën veriore të Kosovës.

Ndërsa në orët e pasdites në veri të vendit janë dëgjuar disa shpërthime dhe sirena.

 

Policia konfirmon incidentet në Zubin Potok dhe Mitrovicë të veriut, dyshohet për shkrepje armësh e shpërthime